“Ka vepruar në mënyrë ilegale”, ARKEP reagon për mbylljen e objekteve të Postës së Serbisë në veri
Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike ARKEP, ka reaguar pasi Policia e Kosovës mbylli 9 objekte të Postës së Serbisë në Kosovë.
Në një komunikatë për media, ARKEP ka bërë të ditur se Posta e Serbisë, ka vepruar në mënyrë ilegale në Kosovë.
Ndërlidhur me operimet ilegale në tregun e shërbimeve postare
Autoritetit Rregullativ për komunikime Elektronike dhe Postare (tutje; Autoriteti ose ARKEP) sipas Ligjit Nr. 06/L-038 për shërbime postare, (tutje; LSHP) është përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e ofrimit të shërbimeve postare në Republikën e Kosovës.
Bazuar në Ligjin për shërbime postare, përkatësisht nenit 16 paragrafët 1 dhe 2, përcaktohen qartë kriteret për ofrimin e shërbimeve postare në Republikën e Kosovës.:
- Çdo person fizik ose juridik mund të ofrojë shërbime postare në Republikën e Kosovës, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
- Ofrimi i shërbimeve postare në Republikën e Kosovës bëhet sipas autorizimit të lëshuar nga Autoriteti.
Pra rrjedhimisht çdo person fizik ose juridik, i cili dëshiron të ofroj shërbime postare në Republikën e Kosovës, duhet të pajiset me Autorizim nga ARKEP.
Për informimin tuaj, në Republikën e Kosovës operojnë gjithsejtë njëzet e tetë (28) operator postar të autorizuar nga ARKEP, të cilët janë të regjistruar në regjistrin e operatoreve postar i cili është i publikuar në ueb faqen e Autoritetit, në linkun; https://www.arkep-rks.org/Page/54 .
Përveç operatorëve postar të autorizuar në Republikën e Kosovës, ka operuar edhe Posta Serbe (JP Pošta Srbije), pa ndonjë autorizim nga ARKEP, pra në mënyrë ilegale dhe ka ofruar shërbime kryesisht në vendbanime me shumicë të komunitetit serb.
Çështja e operimit të postës serbe (JP Pošta Srbije) në të kaluarën është tentuar të zgjidhet në kuadër të dialogut në Bruksel, por si pasoj e kundërshtimit nga pala serbe, kjo çështje asnjëherë nuk është trajtuar edhe pse është përmendur në ‘Marrëveshjen për Telekomunikacion’ (Ref. Marrëveshja për Telekomunikacion, e vitit 2013), përkatësisht në pikën 5, në të cilën shprehimisht thuhet:
“Ndonëse shërbimet postare nuk kanë qenë pjesë e këtyre diskutimeve, të dy palët janë pajtuar ti diskutojnë ato në një fazë të mëvonshme”
Pra meqenëse është lënë që kjo çështje të diskutohet në një fazë të mëvonshme, deri më sot nuk ka patur iniciativë për fillimin e bisedimeve për zgjidhjen e kësaj çështje, apo edhe ndonjë veprim konkret për ndalimin e operimit të postës serbe (JP Pošta Srbije).
Për më tepër ky subjekt NUK figuron të jetë i regjistruar në ARBK, pra rrjedhimisht nuk posedon Certifikatë Biznesi, Numër Fiskal etj.
Lidhur me operimin ilegal të postes serbe ARKEP në vazhdimësi ka bashkëpunuar dhe shkëmbyer informata me Institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe konform përgjegjësive që ka është e gatshme të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e ligjit dhe rregulloreve në fuqi.