18-05-2024

Kadri Kryeziu: Ushqimin kryesor në burgjet serbe e kishim rrahjen

Me 10 vite burg efektiv ishte dënuar edhe Kadri Kryeziu, tani profesor doktor në Universitetin e Prizrenit.

Ishte vetëm 22 vjeç.

Ajo, për të cilën u dënua ishte si njëri ndër organizatorët e demonstratave të 11 marsit të vitit 1981 në qendrën e studentëve në Prishtinë.

Kërkesa kryesore ishte “Kosova Republikë” dhe njëra prej kërkesave ka qenë, “Republikë Kushtetutë ja më hatër, jo më luftë”.

Por, ky thotë se jeta për të në burgjet e Serbisë ka qenë e tmerrshme.

“Jeta në burgjet e Serbisë ka qenë e tmerrshme, trishtuese, rrahje tortura fizike e psikike, maltretime, denigrime, fyerje në baza nacionale, trajtimi ka qenë i njëjtë si në burgjet e mesjetës. Gjatë vuajtjes së dënimit janë maltretuar edhe familja në vizita mujore, më antinjerëzorja ka qenë ndalesa që të flasim shqip me familje, detyroheshim të flasim në gjuhen serbe. Atëherë isha në vitin e katërt në Fakultetin Juridik në Prishtinë, dhe më kanë lejuar të mi sjellin nga shtëpia librat, por jo me karakter patriotik. Gjatë vuajtjes së dënimit për 10 vjet kam pasur shokë të dhomës me të cilët kemi mbajtur 48 muaj në izolim, në vetmi”, ka treguar Kryeziu, për Front Online.

Pohon se ushqim kryesor e kanë pasur rrahjen.

Por, jo vetëm nga serbët, edhe nga shqiptarët.

“Ushqim kryesor e kemi pasur rrahjen e cila ka filluar në Prizren, Prishtinë, Leskovc, Shabac dhe në Pozharevc. Nuk jemi rrahur vetëm nga serbët, por edhe nga shqiptarët që ishin në shërbim të Serbisë. Po ashtu jemi dënuar nga gjyqtarët shqiptar që i kanë shërbyer pushtetit fashisoid serb. Torturat kanë qenë deri në çmenduri me metodda mesjetare dhe mjete të forta në tërë trupin. Qëllimi ishte eliminimi fizik, por ne kemi rezistuar”, ka deklaruar Kadri Kryeziu, ish-i burgosur politik.

Kurse, se si e ka kaluar festën e Vitit të Ri në burg, ai ka pasur vetëm këtë përgjigje.

“Nuk më kujtohet asnjë natë ‘feste’ drithëruese, në aspektin psikologjik kanë qenë festa të ‘përgjakshme’, ka thënë ai.

E, si është Kosova sot për Kryeziun.

“Për mua janë arritë objektivat e kërkuara e të cilat ishin: një popull i lirë, një shtet të konsoliduar. Atëherë kjo ishte imagjinatë që të jemi shtet Sovran i njohur nga fuqitë e mëdha botërore, të kemi ushtrinë, policinë, institucionet tona shtetërore, kënaqësi e arritur shekullore, epokale”, ka shtuar ai, për Front Online.

Asnjë koment

Comments are closed.