Kapen dy qese me dro*gë të kamufluara në automjetin që transportonte të burgosur në Dubravë
Një rast i tentim-futjes së kontrabandës është parandaluar në Qendrën Korrektuese të Dubravës, ku gjatë një kontrolli rutinor janë zbuluar dy qese me lëndë të dyshuar narkotike të fshehura në një automjet që transportonte të burgosur me të drejtë pune jashtë institucionit, raporton Sinjali.
Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, rasti ka ndodhur dje rreth orës 16:40, kur zyrtarët korrektues, në bashkëpunim me Njësitin K9 të SHKK-së, kanë ndaluar për kontroll në Portën 0 një kamionetë pune që po kthente të burgosurit nga puna jashtë institucionit.

Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit, zyrtarët kanë zbuluar dy qese të kamufluara me lëndë të dyshuar narkotike, të fshehura në dyshemenë e kamionetës.
Bazuar në rrethanat e rastit, të dyshuar për përfshirje janë disa të burgosur që gëzojnë të drejtën e punës jashtë institucionit.

Ndaj tyre janë ndërmarrë masat disiplinore përkatëse dhe u janë ndaluar beneficionet deri në përfundimin e procedurave hetimore.
Pas zbulimit të rastit, zyrtarët korrektues kanë ndërmarrë menjëherë veprimet procedurale, kanë iniciuar hetime të brendshme dhe kanë njoftuar Policinë e Kosovës, e cila po zhvillon hetimet lidhur me rastin.


