Kapen me drogë dhe armë të ftohta në Prizren – Njësia e Antidrogës arreston dy persona, kontroll edhe në shtëpinë e kushëririt
Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një operacion i shpejtë i Njësisë për Hetimin e Narkotikëve në Prizren ka çuar në arrestimin e një personi dhe sekuestrimin e substancave narkotike, armëve të ftohta dhe pajisjeve të dyshimta.
Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se dje hetuesit e antidrogës kanë ndaluar një veturë të tipit Ford Fiesta pa targa dhe pa regjistrim, të cilën e drejtonte Ukshin Shala, 31 vjeçar, në fshatin Poslisht të Prizrenit.
Gjatë kontrollit personal, Policia ka gjetur dhe sekuestruar përkohësisht: 16 doza marihuanë (18.45 gram),një thikë lufte me fotrollë të zezë, dy telefona mobilë, dhe 190 euro para të gatshme.
Hetuesit kanë pranuar informata të tjera operative që lidhnin Shalën me Vepron Hajdarin, 39 vjeçar, kushëri i tij, i cili dyshohej se mbante lëndë narkotike në shtëpi. Me urdhër verbal të Prokurorit të Shtetit në Prizren, janë kontrolluar dy lokacione: shtëpia e Hajdarit në Poslisht dhe shtëpia e Shalës në Jeshkovë.
Në shtëpinë e Vepron Hajdarit janë gjetur dhe sekuestruar: 2.83 gram marihuanë, një tjetër thikë lufte, një boks hekuri, një grirëse (grinder), dhe një peshore digjitale jo-funksionale.
Pas konsultimit me Prokurorin e Krimeve të Rënda, është marrë vendimi që Ukshin Shala të ndalohet për 48 orë për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, ndërsa për Vepron Hajdarin është iniciuar procedurë penale për veprën “Posedim i paautorizuar i narkotikëve” dhe ai është liruar në procedurë të rregullt hetimore.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.