06-05-2026

Kapet me dr*og*ë në veturë në Prizren – bastisja në shtëpi zbulon edhe ko*ka*inë dhe pajisje paketimi

Një aksion anti-drogë i Policisë në Prizren ka çuar në arrestimin e një personi dhe sekuestrimin e narkotikëve, parave dhe pajisjeve që dyshohet se përdoreshin për përgatitjen e drogës për shitje, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Rasti ka ndodhur mbrëmjen e 5 majit 2026 rreth orës 23:05, në rrugën “Aziz Kelmendi” në lagjen “Arbana”, ku njësia e antidrogës në Prizren, në kuadër të planit operativ “Stop Drogave”, ka vërejtur një veturë Opel Astra të ndaluar në rrugë.

Brenda veturës ndodhej i dyshuari R. Krasniqi,  të cilit gjatë kontrollit iu janë gjetur tri doza të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë, ndërsa në veturë është gjetur edhe një dozë e dyshuar kokainë.

Pas këtij zhvillimi, hetuesit e antidrogës, në asistim të njësive relevante dhe forenzikës, kanë kryer bastisje edhe në shtëpinë e të dyshuarit në të njëjtën lagje.

Burimet bëjnë të ditur se gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar:

mbi 32 gram marihuanë,

substancë e dyshuar kokainë,

dy peshore elektronike,

aparat për vakumimin e qeseve,


foli alumini,

qese plastike,

70 euro para të gatshme,

si dhe një telefon mobil.

Pas përfundimit të bastisjes, i dyshuari është shoqëruar në zyrat e antidrogës në Prizren dhe është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.