Kastrati i Malishevës në asamblenë e Nju Jorkut: Moment i veçantë
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka zhvilluar vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka qenë mysafir special i Asamblesë së Nju Jorkut, rast të cilin e ka përshkruar si nderim të jashtëzakonshëm.
“U jam shumë mirënjohës gjithë anëtarëve të këtij institucioni të rëndësishëm në Shtetin e Nju Jorkut, me theks të veçantë anëtarit të saj, z. Sam Pirozzolo, që para gjithë të pranishmëve shpalosi angazhimet dhe kontributin tim ndër vite”, është shprehur ai.
“Pa dyshim, falënderimet më të sinqerta i takojnë bashkëatdhetarëve tanë në ShBA, që historikisht kanë kultivuar e fuqizuar miqësinë shqiptaro –amerikane, kanë integruar vlerat tona kombëtare brenda shoqërisë amerikane, janë kontribuesit më të mëdhenj të kombit tonë për liri, pavarësi e zhvillim ekonomi. Dhe shembulli më i mirë i një shqiptari që i promovon gjithë këto vlera, është miku ynë i mirë, z. Naser Nika, dhe shumë e shumë shqiptarë të tjerë, me të cilët ndihemi krenarë gjithë kombi shqiptar”.