Katër gjigantët e futbollit botëror arrijnë në gjysmëfinale
Franca, Spanja, Argjentina dhe Anglia siguruan kualifikimin mes katër skuadrave më të mira dhe tani do të përballen për të fituar dy vendet në finalen e madhe, duke konfirmuar pritshmëritë si favoritët kryesorë të turneut.
Ky zhvillim lidhet edhe me formatin e ri të Botërorit, i cili për herë të parë u zhvillua me 48 kombëtare. FIFA vendosi që katër ekipet më të renditura në botë të pozicionoheshin në katër pjesë të ndryshme të tabelës së fazës me eliminim direkt, në mënyrë që të mos ndesheshin mes vete para gjysmëfinaleve.
![]()
Për ndarjen e shortit u përdor renditja e FIFA-s e 19 nëntorit 2025. Në atë periudhë, Spanja kryesonte listën, e ndjekur nga Argjentina, Franca dhe Anglia. Nëse secila prej tyre fitonte grupin përkatës, rruga drejt gjysmëfinaleve nuk do t’i vinte përballë njëra-tjetrës. Spanja dhe Argjentina u vendosën në anë të kundërta të tabelës, ndërsa e njëjta skemë u aplikua edhe për Francën dhe Anglinë.

Megjithatë, ky avantazh varej edhe nga rezultatet në fazën e grupeve. Të katër kombëtaret e përfunduan grupin në vendin e parë, duke ruajtur pozicionet e parashikuara në tabelën e eliminimit.
Në çerekfinale, Franca fitoi 2-0 ndaj Marokut, Spanja eliminoi Belgjikën me rezultat 2-1, Anglia mposhti Norvegjinë 2-1 pas kohës shtesë, ndërsa Argjentina siguroi kalimin më tej me fitoren 3-1 ndaj Zvicrës, gjithashtu pas vazhdimeve.

Edhe pse renditja e FIFA-s pësoi disa ndryshime para fillimit të kampionatit, katër vendet e para mbetën në duart e të njëjtave kombëtare. Në klasifikimin përfundimtar para nisjes së turneut, Argjentina renditej e para, Spanja e dyta, Franca e treta dhe Anglia e katërta.
Tani vëmendja është te gjysmëfinalet. Franca dhe Spanja do të përballen në Dallas, ndërsa një ditë më pas Argjentina do të luajë kundër Anglisë në Atlanta. Fituesit e këtyre dueleve do të përballen në finalen e 19 korrikut në New Jersey, ndërsa Botërori 2026 tashmë ka hyrë në histori si edicioni i parë ku katër kombëtaret më të renditura nga FIFA kanë mbërritur së bashku në gjysmëfinale.


