Përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë në Prizren, në vlerësimet e tyre nuk japin notë të lartë për punën e qeverisjes lokale sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, transparencës dhe llogaridhënies si dhe qasjes në dokumentet zyrtare, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Elmendina Dorambari, zyrtare e KDI-së, duke folur rreth vlerësimit të pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, thotë se Këshillat lokal, në proceset vendimmarrëse nuk janë konsultuar për politika publike gjatë këtij mandati qeverisës, edhe përkundër asaj që Rregullorja përkatëse obligon kryetarin të organizojë takime (së paku 2 takime në vit) me këta organizma.
Osman Osmani, nga OJQ- “Nevo Koncepti” thotë se përkundër nevojës së madhe të komunitetit rom për dorën e pushteti, pak po bëhet nga komuna. “Mendoj që duhet të ketë një përkujdesje të shtuar ndaj sigurimit të mirëqenies së pjesëtarëve të këtij komuniteti.
Duke folur për mbështetjen nga ana e qeverisjes aktuale me projekte konkretete, përfaqësuesi i OJQ-së “Fidani”, Berat Batiu e konsideron si simbolike. Ai shprehet se drejtoritë përkatëse është mirë që mbështetjet për aktivitetet e OJQ-ve t’i bëjnë pas përcaktimit të kritereve të qarta, dhe të njëjtat të bëhen me konkurse publike.
Qazim Thaçi, kryeredaktor i TV Besës, lidhur me punën e deritashme të qeverisjes, thotë se ekzekutivi nuk ka arritur të realizojë ndonjë sukses të veçantë, ndërsa këtë e ndërlidh me faktin se brenda koalicionit të gjerë janë emëruar drejtor pa përvojën e duhur menaxheriale.
“Ekzekutivi komunal nuk ka treguar ndonjë performancë e cila mund të marr notë pozitive”, vlerëson Nuhi Salihu, redaktor në Tv Prizren, duke dalluar si më aktiven Drejtorinë e Inspektorateve.
Gazetari i radios “Roman Avazo, Nexhip Menekshe duke folur për punën e ekzekutivit thotë se qeveria Haskuka duket se ka me një apetit të madh për të marrë vendime pozitive, por ka edhe ngecje të mëdha.“Kryetari Haskuka në takim me përfaqësuesit e komunitetit na ofroi mbështetjen për zyrtarizimin e gjuhës rome në këtë komunë”.
Pyetjes rreth qasjes në dokumente zyrtare, Dormbari nga KDI iu përgjigj se ky mbetet një tjetër shqetësim për organizatat e shoqërisë civile, pasi gjatë kësaj periudhe, komuna e Prizrenit nuk ka respektuar ligjin përkatës, duke mos ofruar dokumentacionin në gjuhën në të cilën janë kërkuar dokumentet përkatëse.
Ndërkaq i pyetur rreth transparencës dhe llogaridhënies, gazetari Thaçi vlerëson se më aktiv në këtë drejtim është treguar kryetari Haskuka se sa ekzekutivi. “Gazetarët duhet të mbahen të njoftuar që në fillim të idesë së projektit dhe realizimit të tij, duke përfshirë këtu edhe publikimin e kontratave me operatorët ekonomik”, thotë ai.
Transparencën dhe llogaridhënien e qeverisjes, redaktori Salihu, ndërkaq i sheh si deri diku të kënaqshme.
Zyrtarja e KDI-së e cila merret me monitorim rreth transparencës dhe llogaridhënies, Dorambari shprehet se kjo vazhdon të mbetet pikë e dobët në qeverisjen aktuale. “Fillimisht mbyllja e Bordit të Drejtorëve, mungesa e komunikimit relevant me media dhe shoqërinë civile, mungesa e publikimit të kontratave në aktivitetet e prokurimit, janë vetëm disa pika të cilat e bëjnë komunën jo transparente në vendime dhe shpenzimet e parasë publik”, tha ajo. /GazetaePrizrenit.net/
https://gazetaeprizrenit.net/2018/08/29/kuvendaret-e-pozites-i-dalin-ne-mbrojtje-haskukes/