Kërcënimi prej COVID-19: Shtyrja e vaksinimit rrezikon mbi 117 milionë fëmijë nga fruthi

Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka paralajmëruar se shtyrja e fushatave për vaksinat e fruthit për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) mund të prekë 117 milionë fëmijë.

Në një deklaratë nga UNICEF-i thuhet se për shkak të pandemisë së koronavirusit janë shtyrë fushatat e vaksinave të fruthit në 24 vende.

Shtyrja e fushatave të vaksinave mund të prekë mbi 117 milionë fëmijë, thuhet në deklaratën ku vihet theksi se duhet të mbrohen dhe të vazhdojnë shërbimet e rëndësishme të vaksinave.

Organizata Botërore e Shëndetësisë bën të ditur se në vitet e fundit rastet e fruthit janë rritur pavarësisht se ka një vaksinë të sigurtë dhe efektive për më shumë se 50 vite. Në vitin 2018 humbën jetën mbi 140 mijë persona, shumica e të cilëve fëmijë dhe foshnje ndërkohë që kjo mund të parandalohej. /Top Channel/