07-10-2024

Kërcënohet Prokurori i Krimeve të Rënda, i dyshuari i shkon me antiplumb në zyrë

Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur sot paradite në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ku një prokuror i Krimeve të Rënda është kanosur seriozisht nga një palë në zyrën e tij. I dyshuari ka refuzuar të largohet nga zyra dhe për pasojë ka intervenuar Policia, që u detyrua ta vë situatën nën kontroll. I dyshuari tashmë ka përfunduar në ndalim dhe Gazeta Sinjali ka mësuar detajet ekskluzive të rastit.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda (emër i njohur për redaksinë) është përballur sot me të dyshuarin dhe kërcënimet që pasuan, për motive akoma të panjohura.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari i cili ishte në zyrën e prokurorit si palë refuzoi të largohet, kur prokurori ia kërkoi një gjë të tillë dhe për pasojë u detyrua që të kërkojë ndihmën e Policisë.

Por, edhe kur zyrtarët policorë në Pallatin e Drejtësisë intervenuan si rezultat i raportimit, hasën në rezistencë, pasi i dyshuari refuzoi sërish, duke i detyruar që ta largojnë me forcë nga zyra e prokurorit.

Të njëjtat burime thonë se personi i dyshuar ka kërcënuar me fjalët se “e kisha vra prokurorin nëse do të kisha një armë”  e më pas ka vazhduar duke thënë se “edhe 100 vjet burg i kisha marrë”, raporton Sinjali.

Policia e arrestoi të dyshuarin dhe e shoqëroi në stacion policor, ku pas kontrollit u zbulua se i njëjti kishte pasur të veshur një jelek antiplumb, që u sekuestrua më pas nga zyrtarët policorë.

Pas përfundimit të procedurave policore dhe intervistimit të tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij të iniciohet rasti si “Kanosje”.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kur kjo vepër penale kryhet ndaj personit zyrtar në lidhje me punën apo me pozitën e tij ose ndaj disa personave ose kur vepra kryhet nga kryesi i cili vepron si anëtar i grupit, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Asnjë koment

Comments are closed.