24-11-2024

Kërkohet drejtësi për viktimat e masakrës në Krushë të Madhe

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj dhe ai i Rahovecit, Smajl Latifi dhe qytetarë të shumtë morën pjesë në shënimin e 23-vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe dhe të Vogël, ku forcat serbe vranë mbi 350 persona, përfshirë edhe gra e fëmijë.

Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij tha se janë duke u angazhuar në vijimësi për të sjellë drejtësi për të gjithë viktimat e luftës në Kosovë.

“Ne nuk përcaktojmë datë të fundit për dhënien e drejtësisë, por jemi të bindur që për këtë duhet të punojmë shumë dhe shpejtë. Ne duhet të ecim shpejt në vlerësimin e sakrificës sonë, dhe të angazhohemi shumë për drejtësi për ne”, tha Kurti.

Mund të jetë një imazh i 15 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të jashtme

Masakra e kryer në Krushë të Madhe që la 241 viktima, dhe e cila ndodhi mu në fillim të bombardimeve të NATO-s, sot me gjithë forcën që e kemi parë për ta përballuar, nuk e ka zhdukur dhimbjen. Ajo nuk ka diçka që është e tejshkuar e jonë e largët, por veçse pjesë e realitetit tonë të përditshëm, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në tubimin përkujtimor në shënim të 23-vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe.

Duke thënë se Kosova është e shënuar e tëra, në trupin dhe në kohën e vet, nga vrasja e shënjestruar dhe nga vrasja masive, masakra, kryeministri deklaroi në emër të qeverisë që drejton se e ka shumë të qartë përmasën e punës që duhet të kryejmë.

Ai theksoi se të gjithë së bashku, qeveria dhe qytetarët, duhet të vendosen në të njëjtin parim e në të njëjtën sjellje. Na duhet të realizojmë një shtet që e llogarit ndërtimin e vet në radhë të parë mbi drejtësinë për viktimat e Kosovës, tha kryeministri. Duke u drejtuar grave të zonja nga Krusha, ai tha se sakrificat e mosdorëzimi i tyre, gjetja e shpresës në thelb të dhimbjes janë mësim jete për të gjithë ne. Që jeta do të jetojë dhe e drejta do të fitojë është mësimi që na e japin gratë e Krushës, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri tha se kjo është historia jonë që na obligon shumë të gjithë neve, për kujdes e solidaritet dhe sidomos për kujtesë të fortë, ndërsa shtoi se nuk mund të harrojmë asnjë dhe asgjë. U detyrohemi përjetësisht, për jetë të jetëve, tha kryeministri. Duke kujtuar se një prej të zhdukurve me dhunë nga ky vend është një nga njerëzit më të mençur që ka kaluar në gjuhën shqipe e në trojet shqiptare: Ukshin Hoti, kryeministri tha se është e lartë dhe e vështirë t’i rikthesh Krushës së Madhe drejtësinë për Ukshin Hotin.

“Është e vështirë drejtësia për të zhdukurin. Është e vështirë drejtësia për cenimin në inteligjencë të një populli, tha kryeministri Kurti.

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se marsi do të mbetet në historinë e Kosovës e në kujtimet tona përherë pasi në këtë muaj kujtojmë sakrificat, vështirësitë, dhimbjet në të cilat ka kaluar populli ynë, derisa në të njejtën kohë ndjejmë krenari për rezistencën dhe luftën e pastër që është bërë për të mbrojtur vendin tonë e për ta fituar lirinë.
Mund të jetë një imazh i 1 person dhe ambiente të jashtme
“Vrasjet, masakrat, keqtrajtimet, dëbimet e granatimet që i janë bërë popullit civil të Kosovës në javën e fundit të Marsit në vitin 1999, do të mbeten pjesa më e dhimbshme dhe më e paharrueshme në kujtimet tona. Shumë fshatra e qytete të Kosovës u mbuluan me gjakun e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve të pafajshëm e të paarmatosur, të cilët fajin e vetëm e kishin që rrinin në shtëpitë e tyre dhe ishin shqiptarë”, tha ai.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, kujtoi gjithë të vrarët duke thënë që serbët kanë shkelur në mënyrë sistematike të drejtat e njeriut, ndërsa shtoi që dhimbjet do të pakësohen kur të zbardhet fati i të pagjeturve. /RTK/ GAZETAEPRIZRENIT.NET/

Asnjë koment

Comments are closed.