Kërkohet heqja e orës policore, Arben Vitia mbledh nesër kryetarët e komunave
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, do të takojnë nesër kryetarët e komunave dhe përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës
Express mëson se në takimin që është ftuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, ku do të jetë edhe ministri i Shëndetësisë, do të flitet rreth masave anti-COVID.
Mbledhja virtuale e cila do të mbahet në orës 10:00, është ftuar pas takimit të sotëm të kryetarëve të komunave, ku i kërkua që të hiqet ora policore dhe të hapet gastronomia.
“Kryetarët e Komunave në këtë takim kanë diskutuar edhe për masat e tashme, zbatimin e tyre, efektin dhe për situatën pas datës 18 prill kur skadojnë këto masat e reja. Në fund Kryetarët e Komunave janë dakorduar për rekomandimet e pushtetit lokal ndaj pushtetit qendror lidhur me situatën pandemike dhe masat e reja në këtë drejtim dhe në anën tjetër respektimin e masave nga ana e qytetarëve”, është bërë e ditur në njoftimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Ndryshe, sipas masave të reja anti-COVID ndalohet lëvizja e qytetarëve pas orës 22:00, deri në orën 05:00 të mëngjesit.
Lokalet e gastronomisë e kanë të ndaluar veprimtarinë, përveç shërbimeve “merr me vete” dhe me dërgesë.
Këto masa që janë miratuar nga Qeveria e Kosovës, janë në fuqi nga data 7 deri më 18 prill