10-05-2021

Seanca urgjente e Kuvendit të Prizrenit mbyllet në mënyrë kaotike

Kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për zyrat e partive politike nuk është shqyrtuar në seancën urgjente të Kuvendit të Prizrenit. Në vend të kësaj është zhvilluar një takim mes shefave të grupeve të këshilltarëve dhe kryetarit të Komunës. Ndërsa seanca urgjente është mbyllur në mënyrë kaotike, dhe me mungesë transparence për kuvendarët e pranishëm.

Seanca urgjente e Kuvendit, me pikën e vetme të rendit të ditës: “Kërkesë për shtyrjen e vendimit për ekzekutim të largimit nga zyrat partitë politike”, ka filluar në orën 10:00, por shkaku i mos pranisë së kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, është shtyrë për në orën 13:00. Gjatë diskutimeve në pjesën e parë të seancës nënkryetari i Komunës, Visar Shehu ka theksuar se më e arsyeshme është që shefat e grupeve të këshilltarëve të takohen me kryetarin, gjë që është përkrahur edhe nga kuvendari i VV-së, Karanfil Haxhillari. Ky takim është zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, derisa pjesa dërmuese e këshilltarëve nga ora 13:00 në sallën e KK-së kanë pritur afër një orë për fillimin e seancës urgjente.

Pas përfundimit të takimit të shefave të grupeve të këshilltarëve me kryetarin Haskuka, kryesuesi i Kuvendit, Sulltan Badallaj ka njoftuar të pranishmit se seanca do të vazhdoj të enjten me fillim në ora 10:00, pa dhënë hollësi të tjera. Sipas tij, detajet rreth diskutimeve me kryetarin do të shpalosen nga shefat e grupeve të këshilltarëve në partitë e tyre.

“Çdokush në zyrat e partive të veta shkojnë dhe i diskutojnë dhe dakordohen e merren vesh. Atëherë nesër në ora 10 këtu jemi, shihemi”, ka thënë Badallaj.

Por një qasje e tillë është kundërshtuar nga Shukri Quni i Nismas që ka theksuar se kjo është mbledhje e KK-së dhe jo e partive. Qemal Krasniqi i LDK-së ka shtuar se nuk është vendosur që nesër të vazhdoj seanca. Ilir Baldedaj i AAK-së ka pohuar se dakordimi ka qenë për vazhdimin e seancës së rregullt, që ishte ndërprerë javën e shkuar.

Ndërsa, Karanfil Haxhillari nga VV-ja ka pohuar se në takimin e shefave të grupeve të këshilltarëve me kryetarin ka pasur dakordim që të vazhdohet seanca e rregullt e KK-së, ku plotësohet rendi i ditës, ashtu që edhe këto prona të futen në ankand.

“Kështu u morëm vesh në mënyrë që edhe kryetari me i pas duart e lira, por edhe neve si subjekte politike me veprua më pastaj në përputhje me ligjin. A u dakorduam kështu?”, ka deklaruar Haxhillari.

Ndërkaq, Komuna e Prizrenit në njoftimin e publikuar pas kësaj seance ka bërë të ditur se “pas konsultimeve, mbledhja është ndërprerë dhe diskutimi për këtë çështje do të vazhdojë në një ditë tjetër”.

Javën e shkuar mbledhja e Kuvendit të Prizrenit, pat dështuar të mbahet në mungesë kuorumi, pasi opozitarët janë larguar nga salla në shenjë pakënaqësie me një vendim të kryetarit, me të cilin kërkohet që subjektet politike ti lirojnë zyrat, të cilat janë pronë komunale. Në anën tjetër kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, pati theksuar se me këtë konkluzion po zbatohet ligji dhe se nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim që bie ndesh me legjislacionin në fuqi./KOHA/

https://www.koha.net/kosove/266683/seanca-urgjente-e-kuvendit-te-prizrenit-mbyllet-ne-menyre-kaotike/

Asnjë koment

Comments are closed.