27-07-2024

Kërkohet kujdes: Ndryshon moti, ja çfarë pritet duke nisur nga nesër

Një ciklon i fuqishëm i cili gjendet mbi Itali, do të arrijë të premten (nesër) pasdite në formë frontale mbi vendin tonë.

Dita e premte do nisë me diell dhe vranësira, të cilat më të shtuara do të jenë në perëndim të vendit apo në Rrafshin e Dukagjinit, ku nuk përjashtohet mundësia për ndonjë reshje të izoluar shiu.

Menjëherë pasdite do të kemi kalimin e shpejtë të sistemit frontal nga perëndimi i vendit, i cili do të sjellë rrebeshe shiu, lokalisht të vrullshme dhe mundësi për shkarkesa elektrike. Sistemi do të jetë më i fuqishëm në perëndim të vendit, ndërsa duke vazhduar drejt lindjes do të fillojë të humbasë intensitet. Reshje parashihen edhe në orët e mbrëmjes në zona të caktuara.

Po ashtu, gjatë ditës priten edhe erëra mjaft të fuqishme nga jugpereëndimit, sidomos në Rrafshin e Dukagjinit, në momente të caktuara me shpejtësi maksimale deri në 100 km/h, ndërsa në zonat malore edhe mbi 100 km/h!

Temperaturat maksimale do të lëvizin prej 20 deri në 25°C në shkallë vendi, ndërsa ulje e ndjeshme gjatë kalimit të frontit.

Dita e shtunë do të vijojë me vranësira të shpeshta dhe reshje shiu, lokalisht në formë të rrebesheve. Do të jetë një ditë tipike vjeshtore. Temperaturat maksimale prej 11 deri në 14°C.

Të dielën parashihet mot me diell dhe vranësira, përderisa priten edhe reshje shiu, sidomos gjatë orëve të pasditës, lokalisht më intensive.

Era do të fitojë sërish intensitet në pjesën më të madhe të vendit, sidomos në veri të vendit në zonat malore, mbi 100 km/h!

Temperaturat shënojnë ngritje të lehtë, me maksimale prej 14 deri në 18°C., njofton MeteoKosova përcjell Gazeta e Prizrenit.

Asnjë koment

Comments are closed.