Kërkohet paraburgim për tetë të përfshirët në përleshjen ku mbeti një i vdekur
Një përleshje me thika mes dy grupeve të të rinjve në fshatin Dragobil të Malishevës ka përfunduar me vrasje. Aty ka mbetur i vdekur një 19 vjeçar, derisa të tjerët kanë përfunduar me lëndime.
Rastin për Express e ka konfirmuar Prokurori Ramiz Buzhala.
Buzhala ka njoftuar se është duke shkuar që të paraqet kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për të gjithë të përfshirët në këtë rast.
“Janë dy grupe dhe janë të përfshirë 8 persona, të ndamë në grup ka 4 persona. Prej njërit grup është një i vdekur i vitit 2000. Është përdorur thika dy herë. Rasti është inciuar si pjesëmarrje në rrahje dhe vrasje. Është intervistuar personi që po dyshohet se e ka kryer vrasjen. Për arsyet më banale të mundshme ka ndodhur rasti. Me kerre, jo m’kqyre jo anej. Jam tu shku me ba kërkesën për caktimin e masës së sigurisë. Kufoma është në Prishtinë për autopsi”, ka thënë Buzhala për Express.
Ndryshe, detaje lidhur me këtë rast ka dhënë edhe Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha i ka thënë Gazetës Express se janë arrestuar personat e involvuar në këtë rast dhe se janë konfiskuar dy vetura.
“Policia në Malisheve ka pranuar informacionin se me datë 27.12.2019 rreth orës 23:25, disa persona të lënduar kanë kërkuar ndihme mjekësore në qendrën e mjekësisë familjare në Malishevë. Policia menjëherë ka shkuar ne lokacion. Dyshohet se rreth 9 persona kanë marr pjese në një rrahje ne rr. “Ahmet Paqarizi” Dragobil- Burim dhe si pasoje e lëndimeve të marra mjeku ka konstatuar vdekjen e një personi”, ka thënë Hoxha.
Rasti është iniciuar si “vrasje” dhe’ pjesëmarrje në rrahje’.