Kërkohet parandalimi urgjent i rrënimit të një ndërtese në rrugën “Bajrakli” në Prizren
Rrënimi i objekteve të vjetra, të cilat konsiderohet si pjesë e trashëgimisë po vazhdon në Prizren. Organizata “EC Ma Ndryshe” përmes një kumtese, sot ka kërkuar nga organet përkatëse lokale e qendrore, parandalimin e rrënimit të një ndërtese në rrugën “Bajrakli”, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
“Sot në terren është vërejtur që kulmi i ndërtesës që gjendet në rrugën “Bajrakli” ka filluar të shembet. Kjo ndërtesë gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit, që sipas Ligjit Nr. 04/L-066 (2012) trajtohet si pronë e trashëgimisë kulturore dhe historike në mbrojtje të përhershme dhe të klasifikuar si zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar”, thuhet në kumtesë.
Më tej shtohet se kjo ndërtesë e banimit posedon vlera të trashëgimisë kulturore dhe paraqet një nga tipet karakteristike të arkitekturës së banimit të qytetit. “Ndërtesa në fjalë, strukturalisht është në gjendje mesatarisht të dëmtuar dhe rrënimi i kulmit mund të ketë pasoja të pakthyeshme për ndërtesën”.
“EC Ma Ndryshe” konsideron se duhet reagim urgjent nga Inspektorati i Komunës së Prizrenit dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në mënyrë që të parandalohet një rrënim i mundshëm dhe të ndërmerren masa preventive për sanimin e gjendjes./GazetaePrizrenit.net”