Kërkohet që qytetarët të mos i ekspozohen diellit, pritet ulje e temperaturave
Instituti Hidrometorologik i Kosovës (IHMK) përmes një komunikate për media njofton se, masat e nxehta të ajrit të cilat kanë përfshirë territorin tonë dalëngadalë po tërhiqen, duke bërë që merkuri në termometër të shënojë rënie për 3 deri 4 gradë në vlerat e temperaturave maksimale, ndërsa minimalet gjatë natës parashihen të mbesin pothuajse konstante.
IHMK bën të ditur se “me kushte pothuaj të ngjashme parashihet edhe dita e parë e javës së ardhshme, mirëpo nga dita e martë sërish nxehtë e me vapë, me temperatura afërsisht të ngjashme me ditët e fundit”.
“Indeksi UV mbetet në vlerat e rrezikut dhe këshillat e IKSHP mbesin në fuqi që nga ora 9-17 mundësisht të mos jemi në kontakt të drejtpërdrejt me rrezet e diellit”, thotë IHMK.
“Edhe pse këto temperatura të larta të pa regjistruara ndonjëherë në qershor, janë shumë në dobi të shumë kulturave bujqësore e në veçanti të kulturës së grurit, sepse tani vetëm se fillon faza e korrje shirjes të kësaj kulture me rëndësi jetësore”.
“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 16-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-33 gradë Celsius”
Gjithashtu, në njoftim thuhet se do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare dhe mesatarisht e fortë në territore të izoluara.