23-04-2024

Prizren: Arrestohen pesë zyrtarët e Njësisë Speciale që u përfshin në aksion

Inspektorati Policor i Kosovës, përmes një komunikate për media njofton se kishte pranuar një ankesë lidhur me pretendimet e një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore, gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në një incident që kishte ndodhur në korrik të vitit të kaluar në Prizren.

Hetuesit e IPK-së pas pranimit të rastit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren që kanë përfshirë marrjen e deklaratave nga dëshmitarët okular si dhe sigurimin e disa audio incizimeve ditëve të fundit.

“Pas veprimeve hetimore, në konsultim me prokurorinë e Prizrenit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot pesë zyrtarë policorë që ishin të përfshirë si të dyshuar në këtë incident (një rreshteri dhe katër zyrtarëve policorë – që të gjithë punonjës në Njësinë Speciale Operative)”, njofton IPK.

Tutje, në njoftim thuhet se arrestimi i tyre është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i lehtë trupor” kurse me vendim të Prokurorisë Themelore në Prizren të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.

Asnjë koment

Comments are closed.