Kërkohet rishikimi i legjislacionit për vlerësimin e mësimdhënësve, SBAShK assesi s’e pranon testimin
Legjislacioni aktual i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve po kërkohet që të ndryshohet pasi po vlerësohet se ka mungesë të besueshmërisë.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se asnjëherë nuk do ta pranojnë vlerësimin e mësimdhënësve përmes testimit.
“Po ne kemi thënë dhe e themi përgjithmonë, madje e them me gjuhën më të thjeshtë popullore që sa të jem unë dhe sa të ketë SBAShK nuk do të ketë vlerësim me test. Por ne ka vite që i lusim MAShT-in dhe qeverinë që ta forcojnë sektorin e inspektorëve profesional dhe që ata ta bëjnë vlerësimin nga afër”.
“Nuk jemi për të mos u bërë vlerësim por në një vlerësim me ndryshe dhe më për afër. Test kurrë por kontrolle profesionale përmes inspektorëve po” ka shtuar ai.
Ndërsa, drejtori i Institutit “Ed Guard”, Rinor Qehaja, ka thënë se vlerësimi i performancës së mësimdhënësve po anashkalohet. Sipas tij, është urgjente që të ndryshohet legjislacioni aktual, pasi ka mungesë të kredibilitetit.
“Vlerësimi i performancës paraqet një obligim ligjor i cili është anashkalua për tash me vite me radhë, ky mos vlerësim i performancës ka rezultuar me një komunitet jashtëzakonisht të madh të mësimdhënësve, e cila pastaj po kthehet me një përkushtim më të dobët dhe një dekurajim për plotë ata mësimdhënës të vullnetshëm”.
“Është i rëndësishëm që të rishikohet edhe legjislacioni aktual, pasi që sikurse që është me një shpërndarje në vetëvlerësim të vet mësimdhënësve, në vlerësim të portofolios, në vlerësim nga drejtori i shkollës, dhe në përqindje të vogël nga inspektori që shumica e tyre edhe mungojnë në kompetencë të mjaftueshme, edhe për vlerësim vë shumë në pikëpyetje për besueshmërinë edhe validitetin, pra edhe nëse ne bëjmë një vlerësim të performancës sipas legjislacionit aktual problemi do të ishte sa janë të besueshme ato vlerësime. Për të ardhur në një formulë të duhur, ne duhet të vijmë në një vlerësim të mësimdhënësve në nivel shkolle. Pra, të delegohet te mekanizmat brenda shkolle dhe një organ mbikëqyrës brenda vendit. Për të pasur këta mekanizma është shumë e rëndësishme meritokracia në punësim”.
Mësimdhënësi në Shkollën Fillore “Bajram Curri”, në Sllatinë e Madhe, Fidan Hasani, tha se duhet të vazhdohet me procesin aktual të vlerësimit, ku mësimdhënësi vlerësohet nga menaxhmenti i shkollës dhe nga Inspektorati i Arsimit.
“Bëhet për një proces mjaft kompleks, për shkak të indikatorëve të shumtë që përdoren kudo në botë për ta vlerësuar performancën e mësimdhënësve, pastaj është vlerësimi i nxënësve, pastaj për aktivitete e lira. E dyta është proces mjaft i ndërlikuar për shkak të natyrës së zbatimit dhe vështirësive, duke i ditur kapacitete e limituar që i ka Inspektorati. E treta është një proces mjaft i ndjeshëm për shkak të kaluarës së afërt dhe tendencat që ka pasur për t’i testuar mësimdhënësit, do të thotë ka pasur disa tendenca për të bërë një lloj vettingu te mësimdhënësit, dhe kjo ka krijuar disa pakënaqësi, dhe është krijua një lloj kundërshtie. Ne për momentin e kemi një vlerësim që bëhet ku përfshihen një pjesë vlerësohet nga menaxhmenti i shkollës një pjesë nga inspektori i arsimit dhe pjesa tjetër është vetëvlerësimi, unë mendoj se duhet të vazhdohet me të, dhe të shohim se ku arrijmë”.
Tutje, ai tha se komuniteti i mësimdhënësve nuk e kundërshton vlerësimin e performancës së tyre, mirëpo Hasani thekson se duhet të arrihet një konsensus për përzgjedhjen e metodës nga të gjithë akterët.
“Askush nuk e kundërshton vlerësimin e mësimdhënësve, por duhet të gjendët një kompromis, të jetë një konsensus në përzgjedhjen e metodës së vlerësimin e mësimdhënësve. Unë çka e përkrahi personalisht është vlerësimi i mësimdhënësve bazuar në rezultatin e nxënësve”.