24-11-2024

Kërkohet sqarim për pozitën e Kushajt në Drejtorinë e Arsimit në Prizren

Drejtoria për Arsim në Prizren ka kërkuar interpretim nga zyra ligjore për pozitën në këtë sektor të Reshit Kushajt, kryetar i SBASHK-ut për Prizren.

Këtë e ka konfirmuar drejtori i DKA-së, Gani Gërmizaj, në seancën e Kuvendit Komunal të Prizrenit.

“Në konsultim me kryetarin Mytaher Haskuka kemi kërkuar interpretim për pozitën e tij në DKA”, tha Gërmizaj, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Kushaj, me 21 qershor kishte deklaruar se procesi mësimor në komunën e Prizrenit do të përfundonte, ndërsa DKA kishte urdhëruar që kjo të vazhdonte edhe për një javë, deri më 28 qershor, në kompensim të orëve të humbura, nga greva e janarit.

Në seancën e kaluar të KK-së, disa nga kuvendarët kritikuan DKA-në për pamundësinë e kompensimit të orëve të humbura në arsim. Gërmizaj në një raport rreth përfundimit të vitit shkollor, ka treguar për shkollat që kanë punuar për kompensim të mësimit, por këshilltarët kanë treguar shifra tjera.

Ata nuk kanë besuar se as 24 shkollat për të cilat u tha se kanë zbatuar vendimin e MASHT për kompensimin e mësimit, duke thënë se numri i tyre është shumë më i vogël. Sipas tyre ishte e pakuptimtë se si një zyrtar në DKA nga Sindikata del para drejtorit duke deklaruar se mësimi do të përfundonte një javë para kohës së paraparë nga MASHT.

Disa nga anëtarët e KK-së kanë shtruar pyetjen nëse do të ketë masa për këto veprime.

Në këtë rast jo vetëm për kuvendarët, por edhe punëtorë tjerë të arsimit, është dilemë pozita e Kushajt, si përfaqësues i Sindikatës, krahas të cilës mban edhe një pozitë në DKA dhe nuk dihet nëse pozita e tij është shërbyes civil apo … ? /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.