12-12-2024

DokuFest, i gatshëm për edicionin e tetëmbëdhjetë

“Me ngjarje për të gjitha moshat, edicioni i 18 i DokuFest vjen me një program fantastik dhe të guximshëm të filmave që do të shfaqen në kinematë e hapura dhe tanimë legjendare të festivalit, performanca muzikore që shtrihen në tri skena dhe mbulojnë akte nga muzika elektronike eksperimentale e deri te iso-polifonia, ekspozitë holografike të fotografisë dhe përvoja RV, punëtori dhe masterklasa, të ndërthurura në nëntë ditët të preferuara tona të vitit.” e përshkruan për albinfo.ch, 2 javë para hapjes drejtoresha e festivalit, Nita Deda. “Dua të falënderoj për punën e palodhshme të ekipit dhe vullnetareve të festivalit, të cilët cdo vit na bëjnë krenarë.”

Në atë që premton të jetë një program i filmave radikalë, me një numër folësish që do të diskutojnë nocionin e së VËRTETËS, si në kinema ashtu edhe në botë dhe përmes një programi të ekspozitave të hapura, ligjëratave nga artistë të ndryshëm, punëtori bashkëpunuese si dhe performanca muzikore të larmishme, ne ju ftojmë t’i bashkoheni këtij udhëtimi shumëngjyrësh mes realitetit dhe fantazisë, gënjeshtrave subjektive dhe të vërtetave objektive – politikës në një botë të globalizuar dhe peisazhit dixhital të së post-vërtetës.

“Të guximshëm dhe inovativë, të kohës dhe të rëndësishëm, kështu do t’i përshkruaja shumë nga filmat e programit garues të sivjetmë”,  tha për albinfo.ch Veton Nurkollari, Drejtor Artistik i festivalit.“DokuFest vazhdon misionin e tij për të sjellë më të mirën nga fusha e filmit në Kosovë dhe për këtë jemi jashtëzakonisht të lumtur që këtë vit mirëpresim një numër të filmbërësve të rinj si dhe të atyre që rikthehen prapë për këtë edicion të festivalit.”

Përmes programeve speciale DokuFest i ka dedikuar një moment të veçantë kontributeve filmike jo-fiktive të edicionit të sivjetmë, duke ndarë një moment zie për vdekjet e tyre. Që kur filloi ky vit katër heronj avangardë ndërruan jetë – filmbërësja eksperimentale feministe Barbara Hammer, kuratori, poeti dhe artisti Jonas Mekas, nismëtari Jugosllav i ‘Black Wave’ Dusan Makavejev si dhe nëna e ‘French New Wave’, Agnes Varda.  “Shpresojmë që do të na bashkoheni në nderimin që do ju bëjmë këtyre radikalëve të pazëvendësueshëm, Makavejev, Mekas, Hammer dhe Varda, filmbërës që kanë lënë gjurmë të thella në të gjitha imazhet që kemi parë dhe ato që do i shohim” thotë Nurkollari. “Nuk kemi arsye të ndjejmë pikëllim për ta — por vetëm për mungesën që shkaktuan në ne.”

Asnjë koment

Comments are closed.