Këta janë 49 kandidatët që kaluan provimin për gjyqtarë (DOKUMENT)
ëshilli Gjyqësor i Kosovës ka publikuar listën e 49 kandidatëve që kanë kaluar provimin për t’u bërë gjyqtar të Republikës së Kosovës. Në mesin e këtyre kandidatëve janë edhe tre kandidatë të pakicës serbe derisa për këtë komunitet kanë mbetur edhe pesë vende të paplotësuara.
“Konkursi për gjyqtar ka qene i shpallur për pesëdhjetekatër (54) pozita për gjyqtar prej te cilëve tetë (8) pozita kanë qenë të rezervuara për komunitetin serb, nga te cilat janë plotësuar tri (3) ndërsa pesë (5) pozita për komunitetin serb mbesin te rezervuara. Komisioni ka përmbyllë listën me kandidatë të suksesshëm me numër rendor dyzetenëntë (49)”, thuhet në njoftim e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Ndryshe, sot Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka përfunduar fazën e tretë dhe të fundit të vlerësimit të 80 kandidatëve të cilët synojnë pozitën e gjyqtarit në Gjykatat e Republikës së Kosovës, fazë kjo e cila përfshin intervistën me gojë të kandidatëve dhe vlerësimin e eseve të tyre.
Ndryshe, KGJK në nëntor të vitit të kaluar kishte shpallur konkurs për rekrutimin e 54 gjyqtarëve, prej të cilave tetë pozita të tilla do t’i takojnë pjesëtarëve nga komuniteti serb në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Faza e intervistimit të 80 kandidatëve që synojnë pozitën e gjyqtarit ka filluar me 9 mars 2021 dhe ka përfunduar të mërkurën, ndërsa sot pritet të bëhet edhe vlerësimi i eseve të këtyre kandidatëve.
Rregullorja për rekrutim të gjyqtarëve e miratuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka përcaktuar se kandidatët që kalojnë testin e parë kualifikues i nënshtrohen pjesës së dytë të testimit, që përfshinë testin me shkrim, kurse pjesa e tretë e testimit sipas kësaj rregullore përfshinë intervistën me gojë dhe një ese.
Komisioni për Rekrutim të Gjyqtarëve në Gjykatat Themelore të Republikës së Kosovës përbëhet nga Albert Zogaj, kryesues i KGJK-së, njëherësh edhe kryetar i komisionit, si dhe anëtarë të këtij komisioni Fidan Hoxha, Enver Peci, Avni Mehmeti, Snezana Mihajlovic, ndërsa si anëtarë rezervë në këtë komision janë gjyqtaret Kadrije Goga-Lubishtani dhe Arjeta Sadiku.
Në ditën e testimit kualifikues, komisioni rekrutues kishte konstatuar se këtë fazë e kishin kaluar 154 kandidatë, por pas procedurës së ankesave, këtyre i janë shtuar edhe nëntë kandidatë të tjerë.
Testi kualifikues ka përmbajtur 100 pyetje dhe ka zgjatur 2 orë, ndërsa i gjithë procesi i organizimit ka zgjatur mbi 17 orë, ndërsa testi me shkrim nga lëmia penale dhe ajo civile kishte zgjatur nga pesë orë.
Pas mbajtjes së testit me shkrim nga 163 kandidatë për gjyqtarë, 75 kandidatë e kishin kaluar testin me shkrim nga lëmia Penale dhe Civile, ndërsa kësaj liste pas fazës së ankesave i janë shtuar edhe pesë kandidatë të tjerë në mesin e tyre të cilët e kanë të përfunduar provimin dhe trajnimin fillestar mbi arsimin ligjor.
Ndryshe, intervistat me gojë të kandidatëve, regjistrohen përmes kamerave dhe për këtë njoftohet kandidati nga komisioni, raportoi BetimipërDrejtësi. Pas përfundimit të fazës së fundit, Komisioni për Rekrutim përpilon listën e kandidateve, sipas pikëve të fituara në provim. Renditja e kandidateve bëhet sipas rezultatit më të lartë të fituar në testin kualifikues, testin me shkrim, esen dhe intervistën me gojë.
Rregullorja Nr.03/2021 për Rekrutimin, Provimin, Emërimin dhe Riemërimin e gjyqtarëve parasheh se kandidatët e pakënaqur kanë të drejtë ankese për të kundërshtuar procesin, lidhur me shkeljen e rregullave, rreth organizimit te provimit si dhe rezultateve te testit kualifikues, testit me shkrim, esesë dhe intervistës me goje, ne afat prej tre (3) ditësh, nga dita e shpalljes se rezultateve
Pas, përfundimit të listës përfundimtare me kandidatët më të suksesshëm dhe dërgimit të saj nga Komisioni në Këshilli, KGJK me shumicë të thjeshtë të votave te anëtareve te pranishëm, merr vendim për propozimin e secilit kandidat veç e veç për emërim si gjyqtar tek Presidenti i Republikës se Kosovës.
/ Gazeta e Prizrenit /