24-04-2024

Rama pas arrestimit të policëve në Morinë: Është goditur një çerdhe e të korruptuarve në Polici

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka cilësuar shembullor operacionin e SHÇBA-së dhe SPAK, ku u arrestuan 34 policë të akuzuar për korrupsion në pikën kufitare të Morinës.

Rama në një postim në rrjetin social “Twitter”, ka shkruar se sot është goditur, siç tha ai një çerdhe të korruptuarish në Policinë e Shtetit.

“Përgëzime SHÇBA-së dhe SPAK-ut për operacionin shembullor të goditjes së një çerdheje të korruptuarish në Policinë e Shtetit! Uroj që kjo frymë e cilësi bashkëpunimi të vazhdojë në funksion të fshirjes së çdo njolle që ndot uniformën e policisë”, ka shkruar Rama.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme janë caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 34 masa sigurimi personal, nga të cilat 32 punonjës të Policisë Kufitare Kukës, me funksione të ndryshme brenda Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit Kukës, duke përfshirë edhe drejtorin e kësaj drejtorie, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Masat e sigurimit personal janë: ‶Arrest në burg‶ për 17 persona punonjës policie, ‶Arrest në shtëpi‶ për 14 shtetas dhe punonjës policie si dhe ‶Pezullim nga detyra‶ ndaj 3 punonjës policie./GS

Asnjë koment

Comments are closed.