19-11-2024

Këta janë dy të dënuarit për vjedhjen e 200 mijë € në shtëpinë e shehut të Teqesë së Madhe

Rasti i vjedhjes së 200 mijë eurove në Teqenë e Madhe në Gjakovë, ka marrë tashmë epilog. Gjykata Themelore në Gjakovë të hënën ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve. Dy persona u dënuan me 7 vjet burgim dhe 1500 euro gjobë, raporton Gazeta Sinjali.

Dy personat që u dënuan se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë” janë Xhevat Thaçi dhe Urim Thaçi, për të cilët Sinjali ka raportuar në qershor të vitit të kaluar.

Xhevat Thaçit iu shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër vitesh për veprën penale “Vjedhja e rëndë,” si dhe dënim me gjobë në vlerë prej 1,500 euro për “Mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.”

Ndërsa Urim Thaçi u dënua me burgim prej tre vitesh për veprën penale “Vjedhja e rëndë.”

Ky vendim pason pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve gjatë procesit gjyqësor.

Çka thuhet në vendimin e Gjykatës?

“Të pandehurit Xh.Th. dhe U.Th., akuzoheshin se “Më datën 20.05.2023, rreth orës 21:40 deri në orën 22:34, në Gjakovë, në rrugën “M.Ll.”, në shtëpinë e të dëmtuarit M. Sh., Klerik i Teqesë së Madhe në Gjakovë, të pandehurit, në bashkëkryerje, duke depërtuar me forcë në dhoma të mbyllura, marrin pasurinë e personit tjetër, këtu të dëmtuarit M.Sh., e cila shërbente për qëllime fetare, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete.

Në atë mënyrë, paraprakisht pajtohen në përgatitje të planit duke i ndarë rolet lidhur me veprimet e tyre, ashtu që takohen një ditë më herët, përkatësisht më datën 19.05.2023, ku edhe pajtohen që për ditën kritike i pandehuri B.B., ta marrë veturën e tij, ndërsa i pandehuri U.Th. të sigurojë informata për lëvizjen e familjarëve të dëmtuarit M.Sh., të cilët kishin për të shkuar në një dasmë në Restorant “O.E.” në Gjakovë. Ashtu që i pandehuri Xh. e pajis me një telefon Nokia, me numër 049/…-…, të pandehurin B., me qëllim që të mbajnë kontaktet mes vete.

Ditën kritike, të pandehurit Xh. dhe B. takohen në lagjen “Çabrat”, ku edhe nisen në drejtim të shtëpisë së të dëmtuarit dhe, në rrugë e sipër, i pandehuri Xh., përmes numrit të tij 049/…-…, të cilin e kishte në shfrytëzim, e telefonon të pandehurin U. në numrin 049/…-…, të cilin e kishte në shfrytëzim. Pas marrjes së informatave nga i pandehuri U., ku sigurohet se familjarët e të dëmtuarit kishin shkuar në dasmë, i pandehuri Xh. së bashku me të pandehurin B. afrohen te shtëpia e të dëmtuarit ku bëjnë disa lëvizje dhe më pas veturën e parkojnë sipër shëtitores në rrugën “R. P.”. I pandehuri Xh. zbret nga vetura dhe shkon në drejtim të shtëpisë së të dëmtuarit, ndërsa i pandehuri B. del nga vetura dhe vazhdon në këmbë në drejtim të rrugës “R.P.”, duke bërë disa lëvizje rreth veturës së tij derisa i pandehuri Xh. e kryen aktin e vjedhjes.

Fillimisht, duke kaluar murin rrethues të oborrit të fqinjit të të dëmtuarit, G.P., depërton në shtëpinë e të dëmtuarit M.Sh. dhe nga dhoma e fjetjes së tij merr dy (2) kasaforta, njëra me ngjyrë të gjelbër dhe tjetra me ngjyrë të zezë. Përsëri largohet nga oborri i fqinjit, në të cilin oborr, me forcë e hap kasafortën e gjelbër ku merr çelësat e kasafortës së zezë, 400.00 franga (monedha të metalta), 13,000.00 lekë shqiptare, si dhe një çantë në të cilën kishte stoli ari në vlerë prej 1,600.00 euro. Më pas, pasi merr çelësat nga kasaforta e gjelbër, e hap kasafortën e zezë dhe merr 114,000.00 euro; 60,000.00 franga zvicerane; 10,000.00 dollarë amerikanë; 1,000.00 paund anglezë. Këto para ishin mbledhur nga besimtarët (myhybët) e të dëmtuarit, me destinim për vazhdimin e ndërtimit të Teqesë në Prizren.

Pasi merr të njëjtat, përgjatë oborrit të fqinjit largohet, ku në ora 22:34 minuta hipën në veturën e të pandehurit B., i cili ishte duke e pritur në parking sipër shëtitores, dhe së bashku nisen në drejtim të muzeut të qytetit. Në ato momente, pasi largohet nga shtëpia e të dëmtuarit me sendet e marra, i pandehuri Xh., në ora 22:37 minuta, përmes numrit 049/…-…, të cilin e kishte në shfrytëzim, e telefonon të pandehurin U. në numrin 049/…-…, po ashtu një numër telefonik që i pandehuri U. e kishte në shfrytëzim, dhe e njofton se e ka kryer aktin e vjedhjes duke i thënë: “U kry, u kry, vazhdo ti,” ashtu siç ishin dakorduar paraprakisht.

Pas largimit nga vendi i ngjarjes, të pandehurit B. ia jep shumën prej 9,000.00 euro, ndërsa të pandehurit U. ia jep shumën prej 17,000.00 euro, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material në shkallë të madhe.”

Asnjë koment

Comments are closed.