27-07-2024

Këta janë “milionëshat” e Kosovës në miqësoret e marsit, Edon Zhegrova vlen sa Cristiano Ronaldo

Kombëtarja e Kosovës në futboll do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore në ditët në vazhdim.

“Dardanët” do të përballen nesër me Armeninë në Yerevan, ndërsa të martën tjetër do ta vizitojnë Budapestin, ku i pret Hungaria vendëse.

Për trajnerin e ri, Franco Foda, kjo do të jetë një mundësi e artë për t’u njoftuar me lojtarët dhe për ta parë me sytë e tij potencialin e tyre, shkruan “Gazeta Express”.

Nga ana tjetër, për Verdhekaltrit do të jetë një mundësi po ashtu ideale që ta kuptojnë filozofinë e trajnerit gjerman, në përgatitjet e përbashkëta për Ligën e Kombeve, e cila do të nisë në pjesën e dytë të vitit.

Por, sa vlejnë realisht lojtarët e ftuar për miqësoret e marsit?

Në bazë të “Transfermarkt”, faqe e specializuar për statistika dhe vlera të futbollistëve, vlera e Kombëtares së Kosovës është 64,5 milionë euro.

Por, nëse e llogarisim vlerën e futbollistëve një nga një, të ftuar për muajin mars, atëherë del se vlera totale e Kombëtares në këtë grumbullim është 88 milionë euro.

Disa prej lojtarëve “Dardanë” vlejnë miliona euro, e disa të tjerë, qindra mijëra euro.

Pa diskutim, lojtari më i vlefshëm i Kombëtares mbetet Amir Rrahmani.

Ylli i mbrojtjes së Napolit vlen 20 milionë euro sipas “Transfermarkt”.

Por, ky nuk është çmimi real që do ta kërkonte kampioni italian nëse do ta shiste futbollistin, për kartonin e së cilit do të kërkonte më shumë, sigurisht.

Atë e pëlqejnë Atletico Madridi dhe Atalanta.

E lojtari i dytë më i vlefshëm tek Kosova qe një kohë është Vedat Muriqi, i cili u rikthye në Kombëtare pas lëndimit që e kishte pësuar në duel me Izraelin vitin e kaluar.

“Pirati” i Mallorcës vlen 15 milionë euro. Edhe ai mund të lëviz nga klubi ishullor gjatë verës që vjen.

E prizrenasit në pozitën e dytë i është bashkuar Edon Zhegrova, shkruan “Gazeta Express”.

Sensacionit kosovar i është rritur vlera pak ditë më parë dhe tash kartoni i tij peshon 15 milionë euro, nga 10 milionë sa vlente në vlerësimin paraprak.

Nëse e bëjmë një krahasim të momentit, sulmuesi i krahut të djathtë aktualisht vlen sa legjenda portugeze, Cristiano Ronaldo, kartoni i së cilit momentalisht vlen po ashtu 15 milionë euro.

Zhegrova është futbollisti më në formë i momentit tek Kosova dhe u rikthye në Kombëtare pas mungesës prej disa ndeshjesh shkaku i krisjeve që i kishte me kampin nacional dhe me FFK-në.

Nëse vazhdon me ritëm të njëjtë, vlera e yllit të Lillet në treg do të rritet në mënyrë konstante.

Natyrisht, “Messi i Kosovës” mund ta bëjë hapin e radhës në karrierë gjatë verës që vjen, derisa ofertat në adresë të tij nga klubet e njohura evropiane nuk po mungojnë.

Lojtari i katërt më i vlefshëm te Kosova është Milot Rashica, shkruan “Gazeta Express”.

Sulmuesi anësor i Besiktasit vlen 7,5 milionë euro, ndërsa kjo shumë mund të rritet, varësisht prej paraqitjeve të tij në Superligën turke.

I pesti në listë, me vetëm 500 mijë euro më pak vlerë se Rashica është Arijanet Muriç.

Portieri shtatlartë, i cili debutoi në Premierligë pak ditë më parë me Burnleyn, vlen 7 milionë euro.

Portieri shqiptar nga Mali i Zi u zgjodh lojtari i ndeshjes falë pritjeve të tij, por hyri edhe në formacionin e javës në Premierligë.

Prej lojtarëve të tjerë të Kosovës që i prekin milionat me vlerë janë edhe Mërgim Vojvoda, me vlerë 3 milionë euro, Zymer Bytyqi (3 milionë), Florent Muslija (2,5 milionë), Leart Paqarada e Florent Hadërgjonaj (nga 2 milionë), Bersant Celina e Elbasan Rashani (nga 1,8 milion euro), Albion Rrahmani (1,4 milion) dhe Valon Berisha 1 milion.

Sa u përket dy kundërshtarëve të radhës së Kosovës, Armenia vlen 41 milionë euro sipas “Transfermarkt. Kurse, Hungaria, vlen 165 milionë euro. /Gazeta Express/

Asnjë koment

Comments are closed.