KFOR-i për dronët Bayraktar: Duhet leje për t’i ngritur në qiell
Një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për blerjen e dronëve Bayraktar TB-2, nga Turqia.
Lidhur me këtë është deklaruar Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, raporton Indeksonline.
KFOR ka njoftuar se në përputhje me Rezolutën 1244, KFOR-i ka autoritetin parësor për hapësirën ajrore mbi Kosovë.
Përmes një komunikate sot KFOR-i ka njoftuar se hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovën nga një vend në tjetrin me fluturime komerciale, ndërsa hapësira e poshtme ajrore mund të përdoret për nevoja specifike dhe sipas autorizimit të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it.
“Presim që institucionet në Kosovë të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese”, thuhet në njoftim.
Ky mision më tej ka kujtuar se e mbështetë zhvillimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, duke përfshirë operacionet e mbrojtjes civile, si shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, kërkimi dhe shpëtimi dhe reagimi ndaj derdhjeve të materialeve të rrezikshme.