KFOR-i sqaron futjen e xhandarmërisë serbe në Kosovë: Ishim në patrullim të sinkronizuar
KFOR’i përmes një komunikate për media ka thënë se dje rreth orës 17:20 ka kryer një patrullë të sinkronizuar me Forcat e Armatosura Serbe në afërsi të fshatit Hodonovc në Komunën e Kamenicës. Sipas tyre Forcat e Armatosura të Serbisë nuk i ndahen anëtarëve të KFOR’it gjatë patrullimit si dhe rasti i djeshëm ishte njëjtë, raporton Gazeta Express.
Sipas KFOR’it që nga viti 2008 patrullimet e përbashkëta të tyre dhe Forcave të Armatosura të Serbisë kryhen përgjatë vijës administrative për të ofruar siguri.
“Më 07 gusht 2020, rreth orës 17:20, elementët e KFOR-it nga Komanda Rajonale Lindje zhvilluan një Patrullë të Sinkronizuar me homologët e Forcave të Armatosura Serbe në Linjën Kufitare Administrative në afërsi të fshatit Hodonovc, në komunën e Kamenicës.Që nga viti 2008, patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura Serbe përgjatë Vijës Kufitare Administrative për të ofruar siguri dhe për tu siguruar që nuk ka aksidente. Në këtë drejtim, KFOR-i gjithashtu zhvillon patrulla të përbashkëta me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në afërsi të Vijës Kufitare Administrative”, thuhet në komunikatë.
KFOR’i thotë se gjatë patrullimit Forcat e Armatosura Serbe nuk ndahen nga anëtarët e KFOR’it dhe rasti i djeshëm ishte i njëjtë.
“KFOR-i bashkëpunon me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në të gjithë Kosovën, dhe me Forcat e Armatosura Serbe në Vijën Administrative Kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vija Kufitare Administrative shtrihet rreth 350 kilometra dhe nuk është e shënjuar qartë apo e përcaktuar nga elemente të terrenit natyror dhe të identifikueshëm, siç janë lumenjtë ose vargmalet, por është shënuar vetëm në harta. Ndërsa kryejnë aktivitetet e tyre, patrullimet e sinkronizuara duhet t’i përshtatin itineraret e tyre në kufizimet e terrenit. Kjo nënkupton që patrullat e sinkronizuara të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura Serbe lëvizin përgjatë Vijës Kufitare Administrative me një shkallë përshtatjeje të imponuar nga terreni. Sidoqoftë, në asnjë moment elementet e Forcave të Armatosura Serbe të një patrulle të sinkronizuar nuk ndahen nga anëtarët e KFOR-it dhe ky ishte rasti edhe këtë herë”, thuhet tutje.
KFOR-i do të vazhdojë të angazhohet me të gjitha palët për të forcuar bashkëpunimin si me Organizatat e Sigurisë së Kosovës ashtu edhe me Forcat e Armatosura Serbe në përputhje me mandatin e tij për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurtë dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 dhe Marrëveshjes Teknike Ushtarake të të njëjtit vit.