Ndryshohen tarifat e ujit, nga 2027-ta çmime të reja
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit ka publikuar urdhëresat tarifore për vitin 2027, të miratuara në kuadër të procesit tarifor 2026–2028.

Urdhëresat përcaktojnë tarifat për shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm, shërbimet e ujërave të ndotura, furnizimin me ujë të trajtuar me shumicë dhe furnizimin me ujë të patrajtuar me shumicë, për shtatë Kompanitë Rajonale të Ujit (KRU) në Kosovë, si dhe për ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”, transmeton IndeksOnline.
Në njoftimin e ARRU-së bëhet e ditur se përcaktimi i tarifave për vitin 2027 është mbështetur në analizën e kostove të ofrimit të shërbimeve, nevojave operative dhe investuese të ofruesve, si dhe objektivave për përmirësimin e performancës së tyre.
“Në këtë proces janë marrë parasysh faktorët që ndikojnë në shpenzimet e ndërmarrjeve, përfshirë kostot e energjisë elektrike, mirëmbajtjen e infrastrukturës, si dhe rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjeteve të ujësjellësit dhe kanalizimit” thuhet në njoftim.
Krahasuar me vitin e kaluar në të gjitha kompanitë rajonale të ujësjellësit, tarifat kanë pësuar ndryshime.
Konsumatorët janë ndarë në kategorinë shtëpiak dhe jo-shtëpiak (komercial dhe institucional), sakaq tarifat aplikohen në raportin euro për metër kub.
Në tabelën e mëposhtme, IndeksOnline ju sjell krahasimet e tarifave për KRU-të për vitin 2026 dhe 2027.

Përmes këtij procesi, ARRU vazhdon përmbushjen e mandatit të saj rregullator, duke synuar përcaktimin e tarifave të arsyeshme, transparente dhe në përputhje me nevojat e sektorit.
Tarifa e ujit aplikohet për çdo metër kub (1,000 litra) ujë të shpenzuar, ndërsa shuma mujore varet nga konsumi i secilës familje. Si shembull, një familje prej katër anëtarësh mund të shpenzojë rreth 10 deri në 20 metra kub ujë në muaj, me një konsum prej 15 metra kub si shembull orientues.

Në KRU “Prishtina”, për këtë sasi, kostoja sipas tarifës për konsumatorët shtëpiakë arrin rreth 9.52 euro në vitin 2026 dhe 10.11 euro në vitin 2027. Pra, diferenca është rreth 59 centë në muaj. Këto shuma llogarisin vetëm tarifën e paraqitur për ujin dhe nuk përfshijnë tarifat e kanalizimit apo pagesat e tjera eventuale në faturë.
“Qëllimi është të ruhet ekuilibri ndërmjet mbrojtjes së interesit të konsumatorëve, përballueshmërisë së faturave dhe mbulimit të kostove të arsyeshme të ofrimit të shërbimeve, si parakusht për funksionimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ndërmarrjeve të licencuara” thuhet në njoftim.
