Kim Mehmeti: Millosheviçi po e fiton luftën e humbur falë burrështetasve shqiptarë. Vetëm idiotët besojnë se shqiptarët do dalin të fituar
Shkrimtari dhe publicisti i njohur shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, komenton për Mapo të Tiranës, një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë.
Zoti Mehmeti, opinioni publik shqiptar po zien këto ditë nga informacionet për një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë. A duhet të jemi të shqetësuar apo të çliruar se po merr zgjidhje një çështje e vështirë?
Për fat të keq, duhet të jemi të shqetësuar për fatin tonë kolektiv sepse mund të ndodhë që pas njëzet viteve, ‘Millosheviçi’ ta fitojë luftën e humbur në vitin 1999.
Edhe atë, për shkak se fati i shqiptarisë është në duart e burrështetasve të shantazhueshëm e me afat të kaluar të përdorimit. Në duar burrështetasish që nuk e kanë interes parësor atë të popullit e të vendit që përfaqësojnë, por fatin e tyre politik.
Andaj, edhe marrëveshjet e arritura mes burrështetasve të tillë, shndërrohen në burim mosmarrëveshjesh të reja.
Duket se marrëveshja eventuale mes Serbisë e Kosovës qëllimin parësor e ka t’ia shtojë afatin e përdorimit një klase politike, me në krye Presidentin e Kosovës, e që e sundojnë popullin dhe vendin sipas mendësisë – ‘ne jemi pronarët e lirisë dhe ne jemi e mira e vendit dhe e popullit’.
Shqiptaria dhe Kosova janë në duart e burrështetasve, të cilët të qenit pushtetarë e barazojnë me të qenit pronar i popullit dhe i vendit dhe andaj, sillen siç sillet Presidenti i Kosovës, i cili aq e nënvlerëson inteligjencën kolektive, sa paturpshëm pohon diçka thuajse absurde: se Serbia nuk e njeh Kosovën vetëm pse ajo nuk pranon ta marrë Luginën e Preshevës! E, ndërkohë, me kokëfortësi e mbron idenë e vjetër serbe për shkëmbim territoresh. Madje, duket se është i sigurt se do realizohet plani i tij proserb e prorus, mbase pse e di se shqiptarët e Kosovës, aq janë lodhur nga ‘hajdutokracia’, sa ajo ngulfati thuajse çdo ndjenjë të tyre ndaj fatit kolektiv, dhe i çoi të rinjtë ta mbajnë kokën e kthyer kah qendrat perëndimore.
Ne duhet të jemi të shqetësuar për fatin e Kosovës dhe të shqiptarisë sepse ato janë në duart e burrështetasve, të cilët shqiptarëve ua vranë krenarinë kombëtare, duke ua imponuar bindjen se për çdo gjë vendosin tjerët, se asgjë nuk është në duart e tyre.
Thuhet se marrëveshja do marrë vulën e Uashingtonit dhe do përfundojë me rishikim kufijsh. Nga ana tjetër, thuhet se Berlini e kundërshton këtë opsion. Jemi në kuadër të teorive të rrjetit apo kështu qëndrojnë gjasat?
Shumëçka është e paqartë, ngaqë mungojnë informata. Por, nuk është sekrete e vërteta se zyrat ku vizatohen hartat e shteteve të popujve të vegjël të Ballkanit, janë ende të hapura dhe ndodhen jashtë hapësirave tona. Aq më shumë kur ne si shqiptarë, e rritëm besnikërinë ndaj miqve tanë perëndimorë, por thuajse e asgjësuam besimin ndaj shqiptarisë. Dhe kështu ne nuk e qartësuam se ku fillon e ku përfundon besnikëria ndaj shqiptarisë dhe ndaj vetvetes.
Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe me këta burrështetas që kishin koncepte si të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet, por jo edhe si ta çojnë përpara shqiptarinë. Pra, ne ecnim përpara me burrështetas që nuk na tregonin se në ç’drejtim na çojnë, por na ngushëllonin se ishin në pritje të lajmit se ‘çka thotë Amerika’. E, në ndërkohë, ne thuajse harruam se as Amerika, as kushdo tjetër, s’ka si të ndihmon nëse t’i nuk bën gjë për vetveten dhe sillesh si një i retarduar, që nuk mund të ecë vetë. Kam frikë se miqtë tanë i lodhëm duke kërkuar nga ata të na mbrojnë edhe nga e keqja në vetvete, me çka ata, mbase edhe gabimisht, filluan të besojnë se jemi të paaftë të bëhemi ndërtues të fatit tonë dhe të bëhemi faktor i rëndësishëm në këtë Ballkan. Andaj, miqtë perëndimorë të shqiptarisë, tani duan të shpëtojnë atë që mund të shpëtohet, madje edhe me ndjenjën e fajësisë pse, për llogari të vetat, shqiptarinë e lanë në duart e këtyre ‘maunokratëve’ që dinin ta sundojnë popullin, por jo edhe grykësinë e tyre.
Gazeta austriake Der Standard shkruan se shumica e shqiptarëve e kundërshton rishikimin e kufijve. Gazeta thekson se kjo situatë ka provokuar tensione edhe në qeverinë shqiptare, pasi kryeministri Edi Rama largoi një zë kundër ndarjes së Kosovës, si Ditmir Bushati. Si e shihni qasjen e Shqipërisë ndaj kësaj situate?
Duhet të jesh mbi mesataren idiot që të besosh se rishikimi i kufijve do u sjellë diçka të mirë shqiptarëve. Posaçërisht në rrethana kur mëmëdhe Shqipëria drejtohet nga burrështetas që vendin e kanë shndërruar në atdhe të krimit dhe nëntokës politike.
Madje, ngutja e disa qarqeve perëndimore dhe serbe, që sa më shpejt të arrihet marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës, ka të bëjë edhe me nuhatjen e tyre se shqiptarët janë defaktorizuar dhe asnjëherë nuk kanë qenë më të dobët politikisht.
Sa u përket tensioneve në qeverinë shqiptare, ato nuk kanë të bëjnë as me interesin e Kosovës, as me atë të Shqipërisë, por me perversitetin e një kryeministri që deputetëve u thotë: ‘gruas sime ia ngrënçi atë që nuk thuhet’!? Apo që i përqesh njerëzit me të meta fizike? Dhe, vallë, mund të besojë ndonjëri se një kryeministër të tillë do e marrin seriozisht burrështetasit perëndimorë?! Apo se mund t’i mbrojë interesat mbarëkombëtarë një kryeministër që nuk ai del të komunikojë njerëzishëm as me deputetët e Kuvendit të shtetit që drejton? Dhe, a mund të besosh se interesat e shqiptarisë mund t’i mbrojë një Kuvend si ai i Shqipërisë, e ku deputetët merren me punët e shtratit të njëri – tjetrit dhe ku përdorin fjalor nga i cili do turpëroheshin edhe pronarët e ndonjë shtëpie publike!?
Nëse SHBA do imponojë një marrëveshje që nuk pëlqehet nga shqiptarët, a do kemi një frymë antiamerikane mes popullit më proamerikan në botë?
Duke u bërë më properëndimorë se perëndimorët, ne harruam të jemi proshqiptarë dhe vetvetja. Filluam të sillem si i paafti që fatin e vet e lë në duart e më të fortit dhe më të pasurit, me çka edhe s’ka si mos bëhet i pandjeshëm ndaj fatit të vet. Mbase gjithmonë kemi qenë të tillë, të skajshëm: kur bëhemi komunistë edhe Stalinin e mbrojmë nga rusët, e kur bëhemi proamerikanë, Trumpin e mbrojmë nga amerikanët. Çka tregon se mbase, as duam, as urrejmë racionalist dhe sinqerisht, se me tjerët nuk na ka lidhur as koncepti, as ndonjë ideal, o parim konkret, por vetëm interesi ditor. Kam frikë se edhe për dështimet tona, ne do e fajësojmë Amerikën dhe se, me këta politikanë që kemi, ne do përfundojmë aty ku ishim në kohën e Enverit – si popull që e jeton vetminë e vet. Dhe ashtu, përfundojnë popujt që e humbin besimin në vetvete dhe që për ta arsyetuar paaftësinë vetjake, i fajësojnë gjithë të tjerët.
Thuhet se marrëveshja po bëhet që Rusia të mos ketë më ndikim mbi Serbinë dhe rajonin. Të tjerë thonë të kundërtën: se Rusia po e sponsorizon opsionin e ndarjes? Ju çfarë mendimi ndani?
Do e përsëris sa herë që të më jepet rasti: të tjerët mund të ta bëjnë vetëm atë që ua lejon. Dhe Rusisë iu rritën mundësitë të depërtojë në Ballkan që nga çasti kur Europa dystandardëshe u tregua se është një prej muratorëve të ferrit të kësaj bote, ku vlen vetëm ligji i të fortit dhe të pasurit. Duke qenë e tillë, ajo bëri shumë parallogari të gabuara edhe në Ballkan. Sepse i çoi shumë ballkanas të pyesnin se cilat janë ato vlera europiane që atë do e bënin të jetë atë që thotë se është, kur një pjesë dërmuese a saj, është bërë e pandjeshme ndaj nacionalizmave brenda vetvetes, ndaj përgjakjes së Bosnjës dhe Kosovës si dhe ndaj ‘srebrenicave’ të Ballkanit, ndaj anti-islamizmit në rritje, ndaj vrasjeve të fëmijëve palestinezë e jemenas, ndaj shkatërrimit të gjurmëve të kulturave të lashta lindore…. Vallë mundet një Europë e tillë t’i kundërvihet ndikimit të kujtdo qoftë në Ballkan!?