21-01-2025

Kjo është shuma që merrnin nga biznesmenët inspektorët e korruptuar në Gjakovë

Aksioni i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit që u zhvillua të hënën në Gjakovë rezultoi me arrestimin e tre inspektorëve të ATK-së të dyshuar për marrje ryshfeti. Sinjali raportoi ekskluzivisht për operacionin policor që u zhvillua në disa lokacione.

Tre të arrestuarit Dukagjin Nikaj, Afrim Gjokaj dhe Elhami Qorkadiu, dyshohen se në periudha të ndryshme kohore dhe në lokacione të ndryshme në Gjakovë, kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet.

Sinjali ka mësuar se në dosjen e rastit thuhet se në këmbim të moskryerjes së kontrollit apo edhe mos ndëshkimit sipas ligjit, tre inspektorët kanë pranuar ryshfet në shuma të ndryshme nga 200 deri në 300 euro, në raste të ndara, si dhe të mira materiale të ndryshme pa pagesë nga pronarët e bizneseve në Komunën e Gjakovës.

Nga Policia e kanë konfirmuar se duke zbatuar masat hetimore, janë siguruar dëshmi se tre të dyshuarit, me qëllim të përfitimit pasuror, kanë pranuar ryshfet.

“Sot, më datë 20.01.2025, me Urdhër nga Gjykata Themelore në Gjakovë në koordinim me prokurorin përgjegjës të rastit janë kontrolluar tri objektet e banimit të personave të dyshuar (dy në Gjakovë dhe një në Pejë) ku janë siguruar prova materiale që ndërlidhen me rastin.

Gjatë kontrollit  janë sekuestruara dëshmitë si në vijim:

  • para të gatshme 11600 Euro,
  • katër (4) telefona mobil 
  • një ( 1 ) IPOD
  • një (1) pasaportë e Republikës se Shqipërisë 
  • një (1) letërnjoftim i Republikës se Shqipërisë ” – njoftoi Policia.

Tre të dyshuarit janë intervistuar dhe me aktvendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.