KMDLNj: Krimet e luftës nuk falen, ato duhet të gjykohen dhe të dënohen
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vlerëson se krimet e luftës nuk falen, ato duhet të gjykohen dhe të dënohen.
KMDLNj vlerëson se në Kosovë po bëhen përpjekje të funksionalizohet Drejtësia Transicionale e që është një fushë e re, jo vetëm te ne por edhe te vendet e rajonit prandaj, përkundër disa përpjekjeve ende mund të themi se jemi duke i bërë hapat e parë dhe shumë të vegjël.
Katër shtyllat e Drejtësisë Transicionale: E drejta pë t’u Informuar, e Drejta për Drejtësi, E Drejta për Kompensim dhe Reparacione si dhe e Drejta për Mospërsëritje , përmes ballafaqimit me të kaluarën kërkon arsyet dhe shkaqet që kanë shkaktuar luftëra apo konflikte të armatosura, siguron satisfakcion dhe drejtësi për viktimat, përgjegjësi për ata që e planifikuan, urdhëruan, e bënë dhe nuk e penguan krimin ( përmes institucioneve të drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare ), si kushte për mospërsëritje të krimeve në kundërshtim me të drejtën humanitare, ligjet e luftës që shkaktojnë shkelje masive dhe të planifikuar të drejtave të njeriut, deri në gjenocid. Këto janë parakushte për një paqe të qëndrueshme që për qëllim përfundimtar e kanë pajtimin.
Prej vendeve të rajonit që e kanë pasur një mundësi pë formimin e Gjykatave për Krime Lufte ( Kroacia , Bosnja dhe Hecegovina dhe Serbia ), Kosova nuk e ka pasur një mundësi të tillë për faktin se krimet e luftës kanë qenë përgjegjësi ekskluzive e gjykatave të UNMIK-ut dhe EULEX-it e që, pas dështimit të adresimit të përgjegjësisë nga këto institucione të drejtësisë ndërkombëtare, disa raste u janë lënë gjykatave vendore që nuk kanë pasur hetues, prokurorë dhe gjykatës të mjaftueshëm për të hetuar dhe gjykuar të akuzuarit për krime lufte, madje as përvojë profesionale të duhur për këto krime.
Shkalla e lartë e korrupcionit ka qenë përcaktues i dështimit të institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë duke i liruar të dyshuarit si dhe duke montuar procese për nevoja politike ( mbështetur në pohimet publike të prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtarë që kanë punuar në Kosovë) kurse, te vendorët ka qenë mungesa e përvojës profesionale si dhe pasiguria .
Menjëherë pas përfundimit të luftës kishte zëra, mendime dhe propozime për arritjen e një pajtimi me Serbinë ku parashihej edhe amnistia nga krimet e luftës e që kategorikisht kundërshtoheshin nga Adem Demaçi , si kryetar dhe kryetar nderi I KMDLNj –së.
Qëndrimi I KMDLNj –së ishte dhe është shumë i qartë; nuk ka falje për krime lufte pa kaluar procedurat gjyqësore , në asnjë rrethanë dhe me asnjë kusht sikur që viktimat janë viktima dhe ato në asnjë rrethanë nuk ndahen dhe nuk diskriminohen në baza etnike, fetare, të gjinisë, racore apo statusit në shoqëri. KMDLNj , edhe ata që kanë kryer krime e që gjykata vendore apo ndërkombëtare e dëshmonë pas procedimit të provave I trajton njëjtë , pa e bërë asnjë dallim. KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre, pa bërë dallim në baza etnike sikur edhe përgjegjësi për gjithë ata që kanë bërë krime.
KMDLNj –ë nuk e paragjykon fajësinë e askujt sepse për këtë kanë kompetencë vetëm institucionet e drejtësisë, pas një vendimi të formës së prerë.
KMDLNj e kundërshton fuqishëm çdo përpjekje për falje të krimeve të luftës, pa e kaluar proceduren ( gjykimin ) pas së cilave, i akuzuari e merr dënimin e merituar, nëse sigurohen provat ose shpallet i pafajshëm, në mungesë të provave.
Nuk është në kompetencë as të legjislacionit vendor e as të asnjë autoriteti politik, çfarëdo niveli qoftë të falë për krime lufte prandaj kjo në Kosovë as që mund të diskutohet sepse krimet e luftës bien nën përgjegjësi të së drejtës ndërkombëtare, ato nuk vjetërohen asnjëherë dhe, deri tani nuk shihet se e drejta ndërkombëtare do të ndryshojë për të amnestuar krimet e luftës. Ndërkaq , nëse një i dënuar për krime lufte e mbanë pjesën dërmuese të dënimit, në bazë të rrethanave dhe ligjeve në fuqi, mund edhe të lirohet nga pjesa e mbetur e dënimit. Asnjë i dënuar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë nuk e ka mbajtur dënimin deri në fund. Është paradoks i llojit të vet se në Kosovë mbi 90% të viktimave janë shqiptarë kurse të akuzuar dhe të dënuar për këto krime janë afërsisht 90% shqiptarë dhe vetëm 8-10 % janë serbë dhe të tjerë.
KMDLNj kërkon që me këmbëngulësi të ndiqen, gjykohen dhe dënohen përgjegjësit për krime lufte në Kosovë , pa asnjë dallim duke siguruar drejtësi për viktimat, gjithashtu pa asnjë dallim.
Çdo përpjekje që për shkaqe politike, për përfitime politike të veprohet kundër të drejtave të viktimave dhe familjeve të tyre për drejtësi është e dënueshme dhe e papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Askush në Kosovë nuk duhet ta lejojë këtë !