19-04-2024

KMDLNJ: Thirrja e hoxhë Bytyçit, fjalor me elemente raciste

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj thirrjes publike që Bedri Bytyçi u ka bërë hoxhallarëve tjerë që të mos marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të të ndjerit Hilmi Haradinaj, duke e vlerësuar si një thirrje jonjerëzore, e pamoralshme, kundër mandatit të BIK-ut, kundër tolerancës fetare, si dhe lehtësisht mund të cilësohet si fjalor me elemente raciste.

Në reagimin e KMDLNJ-së, thuhet pas vdekjes së Haradinajt nga persona të papërgjegjshëm pati përpjekje që të përbaltet personaliteti i tij në baza krejtësisht jonjerëzore dhe në kundërshtim të thellë me mësimet e besimit islam dhe pa asnjë dyshim edhe në kundërshtim me ligjet në fuqi. KMDLNJ-ja thotë se thirrja publike që iu bënë hoxhallarëve tjerë që të mos marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të ndjerit Hilmi Haradinaj duke ia mohuar shërbimet mortore nga një hoxhë, i punësuar në Bashkësinë Islame të Kosovës  përkatësisht nga Bedri Bytyçi, është jonjerëzore, e pamoralshme, kundër mandatit të BIK-ut, si autoritet suprem për çështje fetare, kundër tolerancës fetare që është vlerë e besimit islam, përdorim i gjuhës së urrejtjes, nxitje të urrejtjes ndërfetare, si dhe lehtësisht mund të cilësohet si fjalorë me elemente raciste.

Për KMDLNj-në, luftimi i këtyre dukurive negative, me karakter antinjerëzor, kundër çdo etike dhe përcaktimi fetar si dhe  që shkelin ligjet në fuqi, është domosdoshmëri dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si ndërhyrje e shtetit në pavarësinë dhe lirinë e veprimit të bashkësive fetare dhe si e tillë duhet të përkrahet nga të gjithë. Ndryshe, në mungesë të masave parandaluese ndaj dukurive negative të keqpërdorimit të fesë, po përballemi me pasojat që kanë një çmim të kushtueshëm, si në planin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtarë.

Asnjë koment

Comments are closed.