29-11-2024

“Kobra” transferohet nga Burgu i Sigurisë së Lartë në një qendër tjetër paraburgimi

Personazhit kontrovers, Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”, që po dyshohet për vrasjen e një 31-vjeçari, te lokali i tij në Prizren, ‘Kobra City”, i është ndërruar qendra e paraburgimit nga Shërbimi Korrektues i Kosovës. Kobrës, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit për këtë rast tashmë është larguar nga Burgu i Sigurisë së Lartë që ndodhet në Podujevë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Siç mëson Sinjali, Kobra është transferuar nga ky burg në një qendër tjetër paraburgimi. Lajmi është konfirmuar edhe nga SHKK dhe kanë bërë me dije se ky vendim është marrë për arsye operacionale, pa dhënë më shumë detaje.

Hoxhaj, i cili ka të kaluar kriminale po dyshohet se ka kryer veprat penale: vrasje e rëndë, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe manipulimi me prova.

Bashkë me ‘Kobrën’ në paraburgim kanë përfunduar edhe pesë persona të tjerë Kujtim Gashi, Jesmir Badallaj, Burim Mazreku, Enver Amrllahi, Arben Vezaj për shkak të dyshimit  të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale pjesëmarrja në rrahje, që i parapriu vrasjes.

Detaje për rastin

I riu që u vra është Visart Cengun nga Kukësi i Shqipërisë, i cili kishte ardhur nga Franca për pushime, që dolën të jenë tragjike. Ai mbeti i vrarë në orët e para të mëngjesit të së martës pas të shtënave me armë zjarri në dalje të lokalit ‘Kobra City’ në Prizren. Keq e pësoi edhe miku i tij, 27-vjeçar, Rufgen Shehu, i cili mbeti i plagosur, por jashtë rrezikut për jetë.

Sinjali ka raportuar ekskluzivisht se motiv i këtij konfliktit dyshohet të ketë qenë fatura prej 400 eurosh që lokali kishte lëshuar për dy viktimat. Sipas informacioneve të para, sherri nisi pasi të rinjtë nga Kukësi nuk u pajtuan për ta paguar këtë shumë të të hollave.

Këtë e ka konfirmuar edhe prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Nazan Shero, e cila i tha Gazetës Sinjali dje se shuma prej 400 eurosh është përmendur edhe nga dëshmitarët si një motiv i mundshëm për vrasjen.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.