Kombëtarja, 27 futbollistë për në Euro 2024/ Sylvinho: Ka qenë e vështirë, m’u deshën 3 muaj për ta hartuar
Surprizë ata që mori, dhe më shumë akoma ata që la jashtë Kombëtares. Trajneri Sylvinho ka habitur jo pak me zgjedhjet e bëra për lojtarët që grumbulloi në përgatitjet e fundit për Europianin e Gjermanisë. Dy mungesat e mëdha, Sokol Cikalleshi dhe Myrto Uzuni, por në sulm nuk do të jetë Muja dhe Muçolli, ky i fundit i dëmtuar.
“Dikush edhe e meriton, por kjo është jeta. Kemi studiuar lojtarët, karakteristikat e tyre dhe të kundërshtarëve dhe në bazë të këtij studimi kemi bërë këto zgjedhje. Mund të ketë 7-8 lojtarë të tjerë që e meritojnë, por mund të marrim vetëm 26.”
Tekniku tha se 3 muajt e fundit ka punuar për të ndërtuar këtë listë dhe se ka analizuar si kundërshtarët edhe lojtarët e ekipit të tij, duke vendosur disa kritere për përzgjedhjen.
“Lojtari që nuk është 100%, kemi vendosur të mos e marrim. Ky është kriter i padiskutueshëm. Kriter për përzgjedhjen ka qënë edhe sa të vlefshëm janë lojtarët për ne. Ne besojmë shumë te Muçi, Bajrami, Seferi, mund të luajnë në disa role. Laçi është një tjetër që mund të bëjë disa role.”
Në mesfushë do të mungojë Keidi Bare, por e ka për herë të parë Medon Berisha dhe rikthehet pas shumë kohësh Amir Abrashi.
“Abrashi i vetmi që ka luajtur në Evropian në 2016 ma jep përvojën dhe grintën që karakterizon këtë skuadër. Kemi një vit që e ndjekim Medon Berishën, dhe pas një punë të shkëlqyer që po bën që nga U-21 kemi vendosur ta thërrasim. Berisha do ta japë përgjigjen e tij në fushën e lojës.”
Trajneri la vend për ndryshime të listës në varësi të ecurisë së grumbullimit në Austri. Një pjesë e futbollistëve, ata që kanë përfunduar kampionatet më herët, kanë nisur stërvitjen që këtë të henë./klan tv