03-12-2024

Kombëtarja e Shqipërisë në telashe, tre lojtarë i bien nga kombinimi

Lista e kombëtares së Shqipërisë vazhdon të pësojë ndryshime në prag të dy ndeshjeve të rëndësishme të eliminatoreve për “Euro 2020”.

Kuqezinjtë më 8 qershor luajnë në udhëtim ndaj Islandës, ndërsa më 11 qershor në Elbasan presin Moldavinë. Të martën kombëtarja shqiptare e futbollit zyrtarisht ka nisur grumbullimin për këto dy ndeshje, ndonëse përzgjedhësi Edy Reja kishte nisur punën një javë më herët me një grup lojtarësh që më herët kishin përfunduar stinorin, shkruan sot “Koha Ditore”.

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar të premten se tre lojtarë nuk do të jenë në dispozicion të përzgjedhësit Reja për ndeshjet me Islandën e Moldavinë. Bëhet fjalë për Egzon Binakun, Ledian Memushajn e Marash Kumbullën. Binaku e Kumbulla janë mbrojtës, ndërsa Memushaj mesfushor.

“Binaku është dëmtuar në ekipin e tij IFK Norrkoping në ligën suedeze dhe në këto kushte e ka të pamundur të bashkohet me kuqezinjtë. Mesfushori Memushaj, i grumbulluar me kombëtaren në kompleksin ‘Tropikal’, ka shfaqur probleme fizike, duke e bërë të pamundur rikuperimin në kohë për dy përballjet. Një tjetër futbollist që do të mungojë është Marash Kumbulla, i cili për shkak të angazhimit në klubin e tij, Hellas Verona, do të bashkohet me kombëtaren U-21 më 3 qershor për ndeshjen me Turqinë”, ka njoftuar FSHF-ja.

Ndërkohë në konferencë për shtyp të premten kanë folur Amir Abrashi e Odise Roshi. Abrashi ka lënë pas vetes një lëndim që e kishte mbajtur gjatë jashtë fushës. Ai bën karrierë në Bundesligë.

“Kam nisur të luaj te Freiburgu. Në fund të sezonit kam ndier pak lodhje, por kam pasur pak ditë pushim. Të shohim tani çfarë forme kam. Po të mos isha gati nuk do të isha këtu. Do të jap çdo gjë për ekipin, ndërsa çdo gjë është në dorën e trajnerit. Me kombëtaren kemi bërë shumë gabime, kemi marrë rezultate të mira e të këqija, ndërsa tani kemi një trajner të ri dhe duam të nisim mbarë me të”, ka thënë Abrashi. “Ka shumë rëndësi që ekipi të qëndrojë sa më i bashkuar. Edhe kush nuk luan duhet të jetë gati për ekipin, pa shfaqur nervozë askush. Duhet të japim më të mirën në fushë e në stërvitje, duke vrapuar pafund”, ka shtuar Abrashi.

Asnjë koment

Comments are closed.