Komuna e Malishevës analizon situatën pas reshjeve të borës
Këshilli i Drejtorëve në Komunën e Malishevës, i drejtuar nga kryetari i komunës, Ragip Begaj, në mbledhjen e rregullt, ka diskutuar një varg çështjesh, e sidomos situatën e krijuar pas reshjeve të borës, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Bazuar në raportime, në territorin e komunës, asnjë rrugë nuk është e bllokuar, por ka vështirësi në qarkullim, përderisa është shprehur pakënaqësi në raport me operatorin për mirëmbajtjen e rrugëve, për shkak të përdorimit të pakët të kripës në rrugë.
Në kumtesën e komunës, thuhet se drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Milazim Morina ka apeluar tek qytetarët, të cilët eventualisht mund të kenë ndonjë nevojë emergjente, që të kontaktohen organet komunale për t’i ndihmuar, sidomos në rastet e sëmundjeve.
Sa i përket arsimit, drejtori komunal për arsim, Blerim Thaçi, e ka vlerësuar si “jo shumë të drejtë grevën, pasi ka mundësi të tjera të realizimit të kërkesave të punëtorëve të arsimit. Orët e humbura, edhe pse mund të zëvendësohen, nuk e kanë efektin e mësimit të rregullt dhe në këtë rast më së shumti pësojnë nxënësit”.
Përndryshe, edhe drejtorët e drejtorive tjera, kanë raportuar për punët dhe aktivitetet e tyre gjatë javës së kaluar dhe për planifikimet për javën në vijim. /GazetaePrizrenit.net/