Komuna e Prizrenit del e 15-ta për transparencë, shumë para saj renditen Rahoveci e Suhareka
Komuna e Prizrenit është radhitur në vendin e 15 për transparencë në qeverisje, ndërsa para saj, e madje në top pesëshin e vendeve të para janë komunat më të vogla, si Rahoveci e Suhareka, raporton Gazeta e Prizrenit.
Ndonëse ka të angazhuar një dyzinë njerëzish dhe ka pasur vetëlavdërim nga ana e kreut komunal, Shaqir Totaj, raportet për fushën e transparencës në qeverisje, flasin ndryshe.
Kjo shihet në raportin e performancës së Komunave të Kosovës për vitin 2022, publikuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Në fushën e transparencës janë aplikuar 7 tregues me 26 të dhëna të cilat japin informata për publikimin e akteve, planeve, buxhetit, kritereve të ueb-faqeve, qasjen në dokumentet publike, publikimin e seancave të kuvendit etj.
Nga këto rezultate shihet se komuna e Prizrenit renditet e 15-të nga të gjitha komunat. Pos dy komunave më të vogla të rajonit tonë, Rahovecit e Suharekës që janë në vendin e 3 përkatësisht të 5-të, Komuna e Prizrenit është prapa edhe komunave tjera të mëdha si Prishtina, Gjakova e Peja.
Figura e mësipërme tregon për 6 komuna të cilat kanë treguar performancë në mes 90-100% në fushën e transparencës, prej të cilave me 100 % janë Gllogoci, Juniku, Rahoveci, Shtimja dhe Suhareka. /GazetaePrizrenit.net
Lexo edhe: