23-11-2024

Komuna e Prizrenit pa përfaqësues, dështon gjykimi për korrupsion ndaj ish-inspektorit të Hidro-ekonomisë në Prizren

Për shkak të mungesës së përfaqësuesit të palës së dëmtuar, Komunës së Prizrenit, ka dështuar të mbahet seanca për korrupsion ndaj ish-inspektorit të Hidro-ekonomisë në Prizren, Avdulla Gashi.

Lidhur me këtë, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi konstatoi se më 15 tetor 2021, Komuna e Prizrenit përmes një njoftimi ka informuar gjykatën se për momentin është pa përfaqësues ligjor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Komuna e Prizrenit ka qënë e përfaqësuar nga Zyra e Avokatisë “Blerim Mazreku” SHPK e cila zyre ka pasur autorizim dhe ka qënë e obliguar që të jap shërbime për Komunën e Prizrenit deri më datë 14 tetor 2021 Komuna e Prizrenit ka filluar procedurën për zgjedhjen e përfaqësuesit ligjor, por për shkak të procedurave akoma nuk është përfunduar dhe për momentin Komuna e Prizrenit nuk ka përfaqësues”, thuhet në njoftim.

Për këtë, Komuna e Prizrenit ka lutur Gjykatën Themelore në Prizren se duke pasur parasysh këtë fakt dhe interesin e përgjithshëm t’i shtyjë të gjitha seancat e parapara për këtë javë dhe javën e ardhshme dhe të njëjtat të shtyhen për së paku 15 ditë, derisa të zgjidhet përfaqësuesi ligjor dhe që më këtë të mos dëmtohen interesat e Komunës.

Ndryshe, e pranishme në seancë nuk ishte prokurorja Ervehe Gashi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 22 gusht 2019, Avdulla Gashi akuzohet se më 3 tetor 2017, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit për Ujërat e Kosovës dhe udhëzimin administrativ, nr. 04/2016 për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e brigjeve të rrjedhave dhe akumulacioneve, dhe pa fakte konstaton në procesverbal se investitori Hashim Kryeziu ka respektuar pikat kadastrale.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij konstatimi në procesverbal, investitorit Hashim Kryeziu, i është mundësuar ndërtimi i objektit B+P+2, në parcelën shoqërore “Ujërat” në rrjedhën e lumit “Lumbardh”, duke uzurpuar një sipërfaqe rreth 155 m2, të pasurisë shoqërore.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.