24-11-2024

Komuna e Prizrenit paguan 43 Euro për këmishë, dhe 94 Euro për jakne

Me shumë “ bujë “ e krenari kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka e kishte prezantuar projektin e “ One Stop Shop “ apo Qendra me një ndalesë në Komunën e Prizrenit, shkruan Lajme365.

Reformimi i Administratës dhe ofrimi i shërbimeve të shpejta, u cilësuar arritje e madhe madje për përurimin e këtij projekti ishte ftuar edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Në gusht të vitit 2019 kishin filluar punimet për realizmin e këtij projekti, ndërsa hapja dhe përurimi u bë në Mars të këtij viti.

Ky projekt Komunës së Prizrenit i ka kushtuar rreth 1.2 milion Euro.

Por përveç kostos së projekti, Komuna e Prizrenit duket se ka shpenzuar edhe një shumë të madhe në uniformat e punëtorëve.

Çmimet jo të zakonshme për një produkt të zakonshëm e karakterizojnë kontratën që ka nënshkruar Komuna e Prizrenit për uniforma të stafit të administratës.

Kontrata me titullin “Furnizimi me uniforma të punës për zyrtarët e ONE STOP SHOP dhe vozitësve të Komunës së Prizrenit“  është nënshkruar me datë 24 janar me operatorin ekonomik “ NTSH “ A&T – Agim Trolli BI “ nga Suhareka në vlerën totale prej 9,673,64 Euro, shkruan Lajme365.

Sipas kësaj kontrate, Komuna e Prizrenit për një këmishë për meshkuj ka paguar 43,66 Euro, ndërsa në total ka blerë 114 këmishë për meshkuj në vlerën prej 3977,24 Euro.

Në kontratën e nënshkruar thuhet se këmishat për meshkruj janë klasike me krahë të gjata dhe me një xhep ndërsa ngjyra është e bardhë dhe me logo të graviruar në jakën e këmishës, gjithashtu këto këmisha duhet të përmbajnë 65% pambuk dhe 35% polyester.

Përpos kësaj, Komuna ka blerë edhe 60 këmishë për femra, me çmim 43,66 Euro, në total verën prej 2,619.60 Euro.

Me këtë kontratë janë blerë edhe 60 shallë dekorues për femra me çmim prej 9,44 Euro për copë, ndërsa janë shpenzuar 566,40 Euro në total.

Pantallonat për meshkuj kanë kushtuar 47,2 Euro për copë, ndërsa janë blerë 16 copë në shumën totale prej 755,20 Euro.

8 jakne dimërore për meshkuj rezistente ndaj ujit, Komuna i ka paguar 94,4 Euro për copë, ndërsa në total ka shpenzuar 755,20 Euro.

Asnjë koment

Comments are closed.