Banorët e izoluar të Skorobishtës të shqetësuar për mungesë furnizimesh

Nazmi Jusufi po mundohet që edhe gjërat e fundit që i ka në dyqanin e vetëm këtu në fshatin Skorobishtë të Prizrenit, t’i ruajë me kujdes.

Fshati i tij ka hyrë në ditën e dytë të karantinës, e Jusufi është i shqetësuar, pasi ka furnizim vetëm edhe për pak ditë, raporton KOHA.

Fshati i Jusufit është konsideruar nga Ministria e Shëndetësisë si vatër e përhapjes së kornonavirusit në Komunën e Prizrenit, por banorë të tjerë thonë se nuk kanë frikë nga ky virus.

Megjithatë, janë të shqetësuar lidhur me furnizimet për ushqim dhe barna.

Gjashtë persona deri tash janë konfirmuar me Covid 19 në këtë fshat, mesin e tyre një infermier, i cili të hënën është dërguar për trajtim në Klinikën Infektive.

Derisa familja e tij është në vetizolim, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë aktualisht.

Ndërkohë, kryetari Mytaher Haskuka, ka thënë të ketë kërkuar nga kryetari i fshatit që të krijojë grup emergjent që të listojë kërkesat e banorëve.

Tutje, Haskuka ka thënë se janë shpërndarë në tërë komunën mbi 1 mijë pako ushqimore dhe higjienike.

Në karantinë vazhdon të jetë edhe fshati Korishë, derisa Prizreni u fut në izolim të dielën mbrëma pas konfirmimit të 15 rasteve me Covid 19.