24-11-2024

Komuna me “Ekoregjionin” do t’i kryejnë shërbimet e varrimit në Prizren

Zyrtarët e lartë të Ekzekutivit të Prizrenit kanë bërë të ditur se tani e tutje Komuna do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e varrimit dhe se në bashkëpunim me bashkësitë fetare dhe kompaninë rajonale “Ekoregjioni” do të ofrohen edhe shërbimet e varrimit për të gjithë banorët e kësaj komune. Njëherësh kanë theksuar se do të ketë edhe mirëmbajtje të varrezave.

Për këtë shkak, organet komunale të Prizrenit kanë njoftuar se vetëm edhe këtë javë do t’i pranojnë aplikimet për kompensimin e shpenzimeve të varrimit. Sipas tyre, kjo praktikë do të marrë fund këtë të premte, për shkak se në saje të marrëveshjes me kompaninë publike “Ekoregjioni”, kjo e fundit do t’i realizojë të gjitha procedurat e varrimit.

Drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Fejzë Kabashi, ka theksuar se familjarët që kanë pasur rast vdekje, deri më tani kanë përfituar vetëm financiarisht me anë të subvencionimit për mbulimin e shpenzimeve të varrimit nga Komuna e Prizrenit, ndërsa tani e tutje përveç mbështetjes financiare me marrëveshjen e nënshkruar mes kryetarit të Komunës dhe kompanisë Ekoregjioni, do të ofrohen edhe shërbimet, duke përfshirë varrimin sipas ritualeve fetare, pa pasur nevojë të kenë obligime shtesë familjarët e të ndjerit./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.