25-11-2024

Konfirmohen kërkimet në një varrezë të mundshme masive pranë Novi Pazarit

Besoj se nga mesi i shtatorit duhet të kemi një datë për fillimin e gërmimit apo vlerësimit të lokacionit”, thotë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar i Kosovës për Personat e Zhdukur.

Deponia e plehrave afër fshatit Kozhle në jugperëndim të Serbisë është një nga lokacionet që, sipas autoriteteve të Kosovës, mund t’i fshehë krimet e kryera nga forcat serbe kundër civilëve shqiptarë në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998/99.

Komisioni për të Pagjeturit i Qeverisë së Serbisë konfirmon për Radion Evropa e Lirë se kanë filluar përgatitjet për pastrimin e vendit dhe ndërtimin e një rruge hyrëse, pas së cilës gjë është planifikuar kërkimi i deponisë “Gollo Bërdo”.

Gërmimet do të kryhen me kërkesë të Kosovës, e cila e ka informuar palën serbe për mundësinë që në këtë vend të jenë varrosur eshtra të civilëve të vrarë shqiptarë, të cilët figurojnë si të zhdukur për më shumë se dy dekada.

Gara thotë për Radion Evropa e Lirë se informacionet për këtë lokacion janë siguruar nga dëshmitarë të ndryshëm dhe se përgatitjet në terren kanë filluar më 26 gusht.

Këtë lokacion, në fund të gushtit, e vizituan edhe për përfaqësues të misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, bashkë me zyrtarë nga Kosova dhe nga Serbia.

Asnjë koment

Comments are closed.