27-04-2024

Konjufca: Me LDK-në u pajtuam për shëndetësinë e arsimin

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se në takimin e së hënës është diskutuar për shëndetësinë dhe për arsimin.

Sipas tij, takimi i sotëm ka qenë “me më së shumti pajtueshmëri” mes dy partive politike.

“Sot jemi mbledhur për të biseduar enkas për shëndetësinë dhe për arsimin. Grupet tona më profesionale i shpalosën qëndrimet e secilit subjekt përkatës politik”, ka thënë ai teksa ka shtuar se janë pajtuar në shumicën e pikave për këto dy sektorë.

Ai ka thënë se janë trajtuar nga së paku dhjetë tema thelbësore për shëndetësinë e arsimin.

Konjufca ka shtuar se nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i ka kontribuar “atmosferës së mirë të takimit për arritjen e pajtueshmërisë sonë për këto dy fusha”.

Konjufca ka thënë se nuk është diskutuar për ndarjen e dikastereve.

“Ne ende nuk e kemi caktuar një takim në të cilën do të flitet ndarja e dikastereve. Strategjia jonë negociatore ka qenë pajtueshmëria sa më e madhe, që të fillojmë prej mënyrave në të cilat pajtohemi”, ka shtuar ai.

Konjufca ka treguar se në takimin e ardhshëm do të diskutohet për politikat sociale. Ka thënë se për temat të politikës së jashtme dhe disa tema tjera madhore, diskutimi të bëhet në nivel të krerëve të partive.

Për diskutimet e fundit se LDK-ja e ka vënë në tavolinë postin e kryeministrit, Konjufca ka deklaruar se “është ditur tashmë se kryeministri zgjidhet prej popullit”.

“Sa i përket kryeministrit mendoj që kurrë nuk është kontestuar fakti prej atij momenti kur nuk është arritur marrëveshja ne popullit ua kemi shpjeguar që tash kryeministri zgjidhet prej popullit. Tashmë është e qartë që faktikisht që mandatari për kryeministër do të jetë prej subjektit që ka fituar më së shumti vota. Të gjitha këto që kanë dalë janë forma të shprehjes të cilat as nuk janë diskutuar në këtë takim. Në momentin që dy subjektet politike tona kanë thënë që numri i ministrive do të reduktohet prej 21 deri në 12 ne kemi dikutuar për masat qe do ndërmerren jo për emrat”, ka shtuar Konjufca.

Sipas tij, për dhjetë ditë pritet të përfundojnë negociatat për formimin e qeverisë së re.

Asnjë koment

Comments are closed.