Konjufca: Ukshin Hoti do të kujtohet sa të ketë komb shqiptar
Me rastin e 23 vjetorit të zhdukjes së veprimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule pranë bustit të tij, në oborrin e shtëpisë-muze në fshatin Krushë e Madhe.
Gjatë vizitës, kreu i Kuvendit u prit nga Andin Hoti, i biri i veprimtarit Ukshin Hoti.
Me këtë rast kryetari Konjufca tha se 23 vjet më parë në Kosovë është kryer një krim i madh nga shteti serb, të cilin e ka përjetuar rëndë i gjithë kombi.
Sipas tij, Ukshin Hoti ka lënë pas një trashëgimi të madhe dhe të gjatë për ta kujtuar.
“Ai na ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme intelektuale, patriotike dhe atdhetare, të cilën gjithnjë do ta kujtojmë brezat e tashëm dhe të ardhshëm, për shkak të mendimeve politike që na i ka lënë. Vepra e tij na ndriçon rrugën edhe sot, edhe si zyrtarë politikë, por edhe atyre që studiojnë politikën”, tha kryeparlamentari Konjufca.
Për zhdukjen e Ukshin Hotit 23 vite më parë, sipas kryetarit Konjufca, shteti serb ende nuk ka dhënë përgjegjësi dhe askush nuk është dënuar, edhe pse dihen autoritetet e burgut të Dubravës në kohën kur ishte zhdukur ai.
Kjo qasje e Serbisë, shtoi kryetari Konjufca, dëshmon se shteti serb nuk ka ndryshuar mendim që nga koha e vitit 1998.
“Kjo qasje tregon se Serbia nuk ka ndërruar drejtimin të cilin e ka pasur në vitin 1998-1999 kundër popullit shqiptar. Ukshin Hoti do të kujtohet gjithnjë, sa të ketë komb shqiptar, për arsye se veprimtaria e tij patriotike ka vazhduar dekada me radhë. Ai ishte i gatshëm ta lë edhe postin e profesorit në Universitetin e Prishtinës për t’iu dalë në mbrojtje protestave të studentëve të vitit 1981. Me këtë ka dëshmuar se ishte gjithnjë në anën e popullit”, tha Konjufca.
Veprimtari dhe intelektuali Ukshin Hoti figuron i zhdukur që nga 16 maji i vitit 1999, ditën kur kishte për t’u liruar nga burgu i Dubravës.