Konkursi për Kompleksin Memorial kushtuar komandant Drinit do të përsëritet
Komuna e Prizrenit së shpejti planifikon ta rishpall konkursin e projektimit për Kompleksin Memorial kushtuar veprimtarisë së Ekrem Rexhës-komandant Drinit. Kjo për shkak se ofertuesit e paraqitur në konkursin e parë nuk i kanë plotësuar kriteret e parapara, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Ekrem Rexha, ish-komandant i Zonës Operative të Pashtrikut u vra në rrethana misterioze para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane”, në mëngjesin e 8 majit 2000. Për veprimtarinë e tij nga Presidenti i Kosovës është dekoruar “Hero i Kosovës”.
Hapësira e paraparë prej 1.400m² për vendosjen e Memorialit për komandant Drinin gjendet në pjesën qendrore të Prizrenit, përkatësisht në rrugën “Adem Jashari”, apo në mini-parkun, përballë selisë së Kuvendit të Komunës (“Shtëpia e Bardhë).
Sipas zyrtarëve komunal, në konkursin e parë të shpallur në janar, dosjen e tenderit e kanë shkarkuar tërhequr 27 operatorë ekonomik, por pas hapjes së ofertave në fund të shkurtit kanë ofertuar vetëm 2 sosh.
Drejtori i Administratës në Prizren, Osman Hajdari, ka sqaruar se portalin “GazetaePrizrenit.net” se një ofertues ka aplikuar në formë elektronike (jo të rregullt) sipas procedurave tenderuese të prokurimit, ndërsa tjetri, sipas Komisionit të Vlerësimit ka ofruar zgjidhje teknike, që nuk i është përmbajtur përshkrimit teknik dhe përfshirjes në planin hapësinor ku duhet të vendoset memoriali.
“Për këtë konkursi do të rishpallet dhe nga java e ardhshme do të jetë publik. Komuna për këtë projekt ka planifikuara 60 mijë euro nga investimet kapitale”, ka thënë ai.
Sipas zyrtarëve “qëllimi i këtij konkursi është që të arrihet në një zgjidhje dhe koncept vizionar për kompleksin, ku përmes një infrastrukture të re dhe të qëndrueshme të arrihet prezantimi i veprimtarisë së Drinit”.
Nga të interesuarit për konkurrim kërkohet hartimi i projektit-planit ideor për realizimin e zgjidhjes urbanistike /arkitektonike/artistike / të Memorialit kushtuar komandant Drinit dhe lidhja e kompleksit/hapësirës në mes veti përmes një plani të mobilitetit. /GazetaePrizrenit.net/