18-05-2024

Shtohen kontrollet për kancerin e gjirit në Prizren, Mamografia punon edhe të shtunave

Drejtoria e Shëndetësisë ka realizuar projekte të ndryshme për zbulimin e kancerit të gjirit, i cili paraqet llojin më të përhapur të kësaj sëmundjeje te gratë, e po ashtu mund të paraqitet edhe te meshkujt.

Mamografia është mënyra kryesore e cila mund të përdoret në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, në profilin e tij në “facebook” ka shkruar se duke e ditur këtë, në krahasim me dy muajt e parë të vitit të kaluar, gjatë dy muajve të parë të këtij viti në njësinë radiologjike në Qendrën e Mjekësisë Familjare janë kryer 126 mamografi, duke rritur kështu numrin e mamografive të kryera për 260% në krahasim me dy muajt e parë të vitit të kaluar (35 mamografi të kryera).

“Kurse edhe shërbimi i ofruar për kryerjen e Ultrazërit (Echo) të gjirit, i cili është një lloj tjetër i kontrollimit të gjirit, i padëmshëm për pacientë, por me vlera të çmueshme për detektimin e kancerit te gjirit, është rritur për 80%. Gjatë dy muajve të parë të vitit të kaluar janë kryer 105 Echo, kurse në dy muajt e parë të këtij viti ky numër është rritur në 191”, ka shkruar ai.

Sipas Haskukës, Drejtoria e Shëndetësisë do të vazhdojë me realizimin e projekteve të shumta, me qëllim që t’ia kthejë qytetarëve besimin ndaj institucioneve shëndetësore në nivelin komunal, ndërkaq njofton të gjithë qytetarët që shërbimi i radiologjisë që realizon Ultrazërin e Gjirit dhe Mamografinë punon edhe gjatë ditës së shtunë./GazetaePrizrenit.net/

Fotografia e Komuna e Prizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.