96 raste me COVID-19 janë konfirmuar sot në Kosovë.
Prej tyre 19 persona rezultojnë të infektuar në komunën e Prizreni dhe 1 në atë të Mamushës.
Në Prizren prej disa ditësh pa ndërprerë raportohen raste me të infektuar, ndërsa nga fillimi i pandemisë janë raportuar 5 vdekje, mes tyre 2 gra, transmeton Gazeta e Prizrenit.
Referuar njoftimit nga IKSHPK-ja, rezultatet e stome në vend, kanë dalë pas testimit të 439 mostrave të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i rasteve në terren.
Ndërkaq sot janë konfirmuar të shëruar edhe 29 raste.
“Rastet pozitive janë nga: komuna e Gjilanit 20 raste, komuna e Prishtinës 19 raste, komuna e Prizrenit 19 raste, komuna e Mitrovicës 15 raste, komuna e Pejës 6 raste, komuna e Vitisë 6 raste, komuna e Vushtrrisë 3 raste, komuna e Drenasit 2 raste, dhe me nga 1 rast komunat: Fushë Kosovë, Kaçanik, Lipjan, Mamushë, Obiliq dhe Shtime”, thuhet në njoftim.
Sipas IKSHPK-së, nga data 08 shkurt deri më 21 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 21.517 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 2.169 raste, me gjithsej 36 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome”, thuhet në njoftim.
Tutje Instituti ka bërë thirrje për respektim të masave për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.
Në njoftim thuhet se bartja e maskave është e obligueshme.