25-04-2024

Koronavirusi: Sot tri raste të reja në komunën e Prizrenit

Sot më 23 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 306 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Referuar njoftimit, me SARS-CoV-2, sot janë konfirmuar 7 raste, tre prej të cilëve në komunën e Prizrenit, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Prizrenit 3 raste (sipas vendbanimit:1 rast Gërnçar, 1 rast Jabllanicë dhe 1 rast Prizren).

Një ditë më parë në Prizren është shfaqur numri më i madh i të të infektuarve, që nga fillimi i Pandemisë.  Nga ky numër 12 ishin pjesëtarë të policisë. Po ashtu, dje për herë të parë edhe në rajonin e Hasit, ku nuk pati të infektuar, dje doli një rast pozitiv.

Pas konfirmimit të këtyre rasteve, sot ndërkaq u njoftua se do të dalin rezultatet e 120 qytetarëve të Prizrenit, të cilët i janë nënshtruar testimit për COVID-19, e që paraqet testimin më të madh deri sot në komunën e Prizrenit.

Rastet tjera pozitive të sotme janë nga komuna e Vushtrrisë 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Vushtrri) dhe 1 rast me vendbanim në Prishtinë.

Sot më 23 maj 2020, janë shëruar 3 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 785 raste, transmeton Gazeta e Prizrenit.

Nga data 08 shkurt deri më 23 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 13.124 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.032 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 23 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 5.378.403 raste të COVID-19 dhe 342.840 raste të vdekjes./ GazetaePrizrenit.net /

 

Asnjë koment

Comments are closed.