Koronavirusit, reduktohen aktivitetet në të gjitha Gjykatat e Kosovës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur të dielen që të reduktojë esencialisht të gjitha aktivitetet në kuadër të tij dhe në të gjitha Gjykatat e Kosovës pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë.

Vendimi i KGJK-së është bërë i ditur të dielen, përmes një njoftimi për medie, raporton KOHA.

Në kuadër të tij, kryetarët e Gjykatave udhëzohen të caktojnë gjyqtarët dhe stafin administrativ të mjaftueshëm për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente, ato të caktimit të masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve-paraburgimit apo masave tjera, rastet e dhunës në familje, masave tjera si dhe rasteve tjera urgjente që eventualisht mund të paraqiten.

Në kuadër të po këtij vendimi, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës autorizohet që “të reduktojë esencialisht stafin në zyre dhe të realizojë vetëm veprimtaritë esenciale administrative në kuadër të Sekretariatit”.

“Në të gjitha rastet kur është e mundur dhe e lejuar me ligj, të punësuarit e sistemit Gjyqësor aktivitetet dhe punën e tyre t’i realizojnë nga vendet e tyre të banimit përmes formave të ndryshme të komunikimit elektronik”, është pikë e katërt e këtij vendimi.

KGJK ka bërë të ditur se këto masa do të vlejnë në një vendim të radhës dhe se ai hyn në fuqi më 16 mars.