Korrupsion në ‘Botërorin 2006’, aktakuzë për ish-trajnerin e Gjermanisë
Ndaj Franz Beckenbauer është ngritur akuzë zyrtare për mashtrim (korrupsion) nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm Zviceran.
Ish-lojtari dhe ish-trajneri fitues i Kupës së Botës me Gjermaninë akuzohet se ka paguar ish-anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, Mohamed bin Hammam me 8.4 milionë euro, para Kupës së Botës 2006, që ky kompeticion të zhvillohej në Gjermani.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm Zviceran tha: “Hetimet kanë zbuluar se në verën e vitit 2002, Franz Beckenbauer pranoi një kredi prej 10 milionë franga zvicerane në emrin e tij nga Robert Louis-Dreyfus. Kjo shumë ishte përdorur për të financuar pagesa të ndryshme të bëra përmes një firme ligjore zvicerane ndaj një ndërmarrjeje në Katar, që i përket Mohamed Bin Hammam. Qëllimi i saktë i pagesave totale pej 10 milionë franga zvicerane për Mohamed Bin Hammam nuk mund të përcaktohet ende, ndaj një kërkesë përkatëse për ndihmë juridike të ndërsjellë iu është bërë autoriteteve të Katarit në shtator të vitit 2016, por ajo ka mbetur pa përgjigje deri më sot”.
Procedimi penal kundër Beckenbauer po vazhdon veçmas të tjerëve, sepse problemet e tij shëndetësore e bëjnë të pamundur marrjen në pyetje.
Prokurorët federalë zviceranë kanë ngritur akuza mashtrimi ndaj tre ish-organizatorëve të lartë të futbollit gjerman dhe një ish-zyrtari të FIFA-s për një pagesë të dyshuar, lidhur me Kupën e Botës 2006. Aktakuza pretendon se ish-presidentët e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Theo Zwanziger dhe Wolfgang Niersbach, zyrtari i lartë i DFB, Horst Schmidt, dhe ish-zyrtari zviceran i FIFA-s, Urs Linsi, kanë mashtruar anëtarët e tjerë të këtij organi (DFB) në lidhje me qëllimin e vërtetë të një pagese prej rreth 6.7 milionë euro, thuhet në një deklaratë./reporteri